Davide Astori nuk hiqet nga “FIFA 18”

26/03/2018 14:18

Pasi Davide Astori ndërroi jetë, disa lojtarë të “FIFA 18” shfrytëzuan momentet e dhimbjes për të shitur shtrenjtë kartën e kapitenit të ndjerë të Fiorentinës, në modalitetin “FIFA Ultimate Team” të video-lojës së famshme.

Pas disa javësh nga ngjarja tragjike, ka ardhur më në fund përgjigja zyrtare e Electronic Arts për këtë sjellje të lojtarëve. Ndërmarrja amerikane ka vendosur që të vërë një çmim tavan për Astorin, pasi ish-futbollisti do të vazhdojë të jetë i disponueshëm në video-lojë.

Kjo, pas kërkesës zyrtare të Fiorentinës. Klubi italian ka dashur që Davide Astori të jetë pjesë e të gjitha modaliteteve të lojës, pavarësisht se mbrojtësi u nda nga jeta në mënyrë të papritur.

Futbollisti i kombëtares italiane, me 14 prezenca në seleksionin e “axurrëve”, u gjet pa jetë në 4 mars në hotelin La Di More’, në qytetin e Udines, aty ku ishte grumbulluar së bashku me skuadrën për të luajtur në stadiumin “Dacia Arena”.

Davide Astori, baba i një vajze 2-vjeçare, u rrit në skuadrat e moshave të Milanit, por në karrierën e tij ka luajtur për 6 vjet me Kaljarin dhe një sezon me Romën.

Top Channel