Biblioteka Nr. 4 në kryeqytet, e cila do të mbajë emrin e gjuhëtarit dhe përkthyesit të njohur shqiptar, Petro Zheji, është shndërruar në një vatër të re leximi dhe një hapësirë moderne për komunitetin.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se pas rikonstruksionit se biblioteka do jetë një shtysë e madhe për të rinjtë që duan t’i kthehen leximit.
“Sot është një ditë e mirë për Tiranën, është një ditë e bukur sepse besoj që civilizimi që ne i përkasim, ai i librave, i dijes, i shkrimtarëve, i njerëzve të mençur, ka përparuar ndaj asaj racës tjetër, të bingove, lotove, basteve, të logjeve. Për gjitha këto arsye duhet të këmbëngulim që civilizimi që përfaqësojmë, i librave, i dijes, i të qenit konstruktiv, pozitiv, i të qenit me energji të mirë, duhet ta fitojë luftën me industrinë e basteve, lotove”, tha Veliaj.
Fushata e pemëve do të mbyllet në 22 prill dhe menjëherë pas saj do të nisë fushata e librave, për t’i kërkuar çdo botuesi, çdo personi privat ose publik, të dhurojë libra për 8 bibliotekat e reja të Tiranës. Veliaj njoftoi se Bashkia e Tiranës do të hapë një konkurs se si qytetarët dhe lexuesit do duan t’i emërtojnë bibliotekat e reja.
“Ka disa shkrimtarë që kanë ndërruar jetë vitet e fundit, të cilët duam t’i përjetësojmë me emrin e një biblioteke. Ndaj, do të hapim një konkurs për të marrë propozime nga lexuesit. Kush ka një ide, dikush që e ka frymëzuar, që i ka ndryshuar jetën, por që sot si shkrimtar shqiptar nuk jeton më, të na e thotë që ta përjetësojmë me emërtimin e një biblioteke”, u shpreh kryetari i bashkisë Tiranë.
Krahas rikonstruksionit total të godinës dhe mjediseve të brendshme, Biblioteka Nr.4 në Njësinë Administrative 9 është pasuruar edhe me një fond të ri prej më shumë se 600 librash.
Top Channel