Skuadra përfaqësuese e Norvegjisë zhvilloi paraditen e së dielës një seancë stërvitore në prag të ndeshjes me Kombëtaren shqiptare. Trajneri i skuadrës nordike, Lars Lagerback që nuk ngurroi të vlerësojë skuadrën tonë dhe trajnerin Panucci.
“Nuk e di nëse Panucci është i rrezikshëm si trajner aq sa ka qenë kur ishte futbollist. Kam parë disa ndeshje të vitit të kaluar dhe mund të them se e respektoj Shqipërinë. Kanë bërë një punë shumë të mirë në eliminatore. ishin në një grup të fortë me Spanjën dhe Italinë”, tha Lars Lagerback, trajner i Norvegjisë
Përsa i përket lojës që do të aplikojë Lagerbak theksoi se skuadra e tij do të përpiqet të bëjë lojën e saj.
“Filozofia ime është që prioritet t’i jepet lojës sonë duke pasur bazën si të mbrojmë e si të sulmojmë. Por nëse nuk je i sigurt për mënyrën sesi do të luajë kundërshtari, atëherë futbollistët duhet të jenë të përgatitur që t’i përshtaten lojës së tij”, tha ai.
Në ndeshjet direkte Shqipëria dhe Norvegjia kanë nga një fitore secila, ndërkohë që 2 sfida kanë përfunduar në barazim, por për Lagerback ajo që ka më shumë rëndësi është loja e skuadrës së tij.
“Është një ndeshje përgatitore që ka rëndësi për trajnerin e Shqipërisë, por edhe për ne, pasi në qershor kemi edhe 2 sfida të tjera. Sigurisht historia duhet respektuar, por nuk është ky shqetësimi im kryesor. Nesër dua të shoh një paraqitje të mirë nga futbollistët e mi dhe shpresoj që të fitojmë”, tha trajneri i Norvegjisë.
Top Channel