Adriana Dizdari, mësuesja e njohur e pianos, solli për lexuesit e vegjël botimin e saj të parë me përralla “Kori i bilbilave”.
E lidhur me muzikën që në fëmijëri dhe e shoqëruar prej saj gjithë jetën, Adriana thotë se të gjithë nga pak janë personazhe përrallash. Ato shkruhen për të vegjlit, por mesazhet shkojnë edhe për të rriturit.
“Kalon jeta dhe u bëra gjyshe. Po mendoja se çfarë mund t’i dhuroja mbesës për ditëlindje dhe vendosa t’i shkruaja një përrallë. Çdo ditëlindje mendja ime sajonte përralla të ndryshme. Them se një ndikim pozitiv ka pasur edhe Ksamili, pasi kjo natyrë këtu të frymëzon, pavarësisht halleve të përditshme”, shprehet Arjana Dizdari.
Autorja e “Korit të Bilbilave” thotë se nuk është e lehtë të shkruash përralla pasi ato kërkojnë të kesh mbetur fëmijë në imagjinatë dhe ta njohësh mirë botën e fëmijëve. Parathënia e librit është shkruar nga bashkëshorti i Adrianës, kompozitori Limoz Dizdari, për të cilin ky botim do të mbetet një kujtim i bukur i jetës së tyre në qytezën e Ksamilit.
“Të gjitha gjërat e mira që kisha në Tiranë, i kam marrë me vete në Ksamil. Mora të gjithë pianot që kisha, por edhe Adrianën”, shprehet kompozitori i njohur Limoz Dizdari.
Edhe muzika nuk mungon brenda rrëfimit të përrallave. Adriana i vendos personazhet e marrë nga bota e kafshëve përballë artit dhe sfidës së ndërgjegjes. Ajo frymëzon tek fëmijët pasionin, shpirtin ëndërrues dhe atë krijues.
Top Channel