Debati për teatrin; Ahmet Pasha: Sot artistët nuk janë në një zë

25/03/2018 19:56

Ahmet Pasha ishte vetëm një djalosh i ri tek të 20-at kur është emëruar në teatër dhe që atëherë, artistët kanë pasur ëndrrën e një godinë të re. Breza të ndryshëm e kanë përforcuar me kohën këtë ëndërr.

“Që kur kam ardhur në fillim në teatër, në vitin 1970, që jam emëruar, siç ishte në atë kohë, ka qenë idea për të bërë një godinë të re, sepse që në atë kohë, kjo si godinë trajtohej si e amortizuar”, tha Pasha.

Kur filloi për herë të parë debati për shembjen e kësaj godine ekzistuese, Pasha ka qenë në mbrojtje të kauzës së teatrit, së bashku me emra të mëdhenj të skenës.

“Ka filluar që në vitin 1999. Që atëherë ka qenë ideja për t’u prishur kjo godinë. Natyrisht në atë kohë kanë qenë njerëz të tjerë në krye të asaj pune. Kanë qenë emra të mëdhenj të teatrit si Vangjush Furxhiu, Agim Qirjaqi, Roland Trebicka. Unë kam qenë kryetar sindikate, natyrisht isha edhe unë në krye të kësaj pune”, u shpreh ai.

Ndërsa sot artistët nuk janë në një zë, por edhe një qëllim i përbashkët.

“Për këtë rast duhet të ishim të gjithë një mendje. Për një godinë të mirë, të re, të teatrit të ri. Teatri ka gjithë jetën që po e vuan. S’ka një godinë, qoftë për veten e vet, qoftë edhe për spektatorin që mbaj mend këto 15-20 vite nuk e ka hequr pallton e dimrit”, u shpreh Ahmet Pasha.

Një projekt i ri për një godinë të re tashmë ekziston, por për Ahmet Pashën pavarësisht se godina është tërheqëse, sërish duhen dëgjuar edhe arkitektët vendas.

“Nga këto që shoh unë, projekti i Bujarit, Krahu i Teatrit Eksperimental. Të gjitha këto, mbase edhe ideja e shumë arkitektëve të tjerë, që deri më sot nuk janë prononcuar, do të sjellë diçka më interesante”, tha aktori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA