Golden State fitoi ndeshjen e radhës ndaj Atlantës në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA, duke e mposhtur 106-94, por nuk e pati aspak të lehtë ndaj Hawks.
Kjo e fundit ishte gjithnjë në ndjekje të rezultatit deri në fundin e periodës së tretë, kur Golden State u kujtua se është skuadra kampione në fuqi e NBA-së.
Stephen Curry shënoi 29 pikë në këtë ndeshje, deri në momentin që u detyrua të braktisë parketin në periodën e tretë, për shkak të një dëmtimi në gju që e fashiti gëzimin për këtë fitore të “Warriors”-ave, që janë në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit, me 54 fitore e 18 humbje.
Edhe Toronto e pati të vështirë sfidën ndaj Brooklyn Nets, por në fund arriti të marrë më të mirën dhe ta fitojë atë 116-112. Për “Raptors”-at shkëlqeu si zakonisht trinomi Lowry-DeRozan-Valanciunas, që të 3 së bashku shënuan 69 pikë. Për Brooklyn Nets spikati Russell, me 18 pikë, 11 topa në tabelë, e 13 asiste.
Toronto, pas kësaj fitoreje konsolidon edhe më shumë pozitat në krye të Konferencës së Lindjes.
San Antonio është rikthyer te forma e shkëlqyer, pas rikthimit në parket të LaMarcus Aldridge. Skuadra teksane mposhti në sfidën e saj të radhës Utah Jazz, me rezultatin 124-120, pikërisht falë Aldridge, që e mbylli këtë ndeshje me 45 pikë personale, ndërkohë që dha kontributin e tij edhe Mills, me 25 pikë të shënuara.
Edhe pas kësaj fitoreje, San Antonio vazhdon të jetë në vendin e 6 në Konferencën e Perëndimit, ndërsa Utah është dy pozicione më poshtë.
Top Channel