Historia e Dorianit mbylli puntatën e natës së sotme të programit “Dua të të bëj të lumtur”. Ai i ishte drejtuar programit për t’i kërkuar falje ish-bashkëshortes për çdo veprim të tijin dhe për t’i kërkuar një mundësi të dytë.
Varësia e tij ndaj alkoolit, por edhe problemet ekonomike e kishin çuar çiftin drejt divorcit. Edhe pse Doriani kishte bërë disa përpjekje për t’u rikthyer me Lirien, ajo nuk kishte pranuar. Ata janë prindër të një djali, i cili jeton me të ëmën. Pavarësisht divorcit Liria e lejon Dorianin që të takohet me djalin e tyre.
Mbas 7 vitesh, Doriani ka vendosur që t’i kërkojë publikisht ish-gruas së tij një mundësi për t’u rikthyer së bashku. Por Liria kishte refuzuar që të vinte në studion e programit “Dua të të bëj të lumtur” sepse dyshonte që këtë ftesë e kishte dërguar ai.
Arbana Osmani zbuloi që kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Lirien, ku ajo i kishte treguar moderatores një histori tjetër nga ajo që na tregoi Doriani.
“Të kërkoj falje për veprimet e mia dhe të premtoj që nuk do të pi më. Do të jem një njeri i rregullt për familjen dhe për njerëzit e mi”, këto ishin fjalët e një njeriu të penduar që mbyllën puntatën e sotme.
Top Channel