Ishte shumë pranë fitores së merituar, por skuadra e Bushit nuk arriti të dilte me tre pikë nga “Selman Stermasi”, pasi miqtë e sllovakë shënuan dy gola në harkun e 7 minutave që përmbysën gjithçka teksa luheshin 10 minutat e fundit.
Në të 44-t, një aksion i bukur mes Cekës dhe Manajt, bëri që sulmuesi lushnjar të zhbllokojë rezultatin dhe të çojë kuqezinjtë në avantazhin e një goli në dhomat e zhveshjes.
Por fillimi i pjesës së dytë barazpeshon rezultatin, pasi Spalek shënoi për miqtë. Gjithsesi, kuqezinjtë u kundërpërgjigjën menjëherë pas 5 minutash, ku sërish Manaj riktheu Shqipërinë në avantazh.
Me kalimin e minutave, terreni rëndohej akoma më shumë dhe kuqezinjtë filluan të japin shenja lodhjeje. Kjo u shfrytëzua nga miqtë, që në minutën e 80’ kapën edhe njëherë në befasi kuqezinjtë dhe barazuan rezultatin.
Sllovakët, dukshëm më të freskët fizikisht në minutat e fundit, arritën të gjejnë edhe avantazhin, pas një rrëmuje në zonë në minutën e 87’, kur Mraz dërgoi sërish topin në rrjetën e portës së Sherrit.
Përfundon 2-3 dhe tashmë Shpresat e Bushit komplikojnë tërësisht rrugën për arritjen e objektivit, që është vendi i dytë, pasi tani skuadra mbetet në vendin e 5-të të renditjes, me 6 pikë në po kaq takime.
Shqipëria U-21 do të luajë ndeshjen e ardhshme sërish ndaj sllovakëve, por këtë herë në Sllovaki, më datë 27 Mars.
Top Channel