Kombëtarja pret Norvegjinë me një përzierje veteranësh e të rinjsh

23/03/2018 14:39

Ndeshja miqësore e Shqipërisë me Norvegjinë do të jetë dhe pikënisja e një miksimi të lojtarëve që çuan këtë përfaqësuese në Europianin e Francës, me disa emra të rinj që, së bashku me Panuccin, do të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë për Evropianin e ardhshëm.

Në konferencën për shtyp të së premtes, Etrit Berisha, i padiskutuar në formacion deri pak kohë më parë, këtë herë flet për rivalitetin me Tomas Strakoshën, portierin e Lacios që po kalon një formë shumë të mirë.

“Jam në një periudhë që po rekuperohem nga një dëmtim. Unë ndihem mirë, por do të jetë stafi ai që do të vendosë nëse do të luaj apo jo ndaj Norvegjisë. Unë besoj se do t’ia dal dhe do të jem i gatshëm. Strakoshën e njoh që nga koha që kam qenë te Lacio dhe gjithmonë kam patur një marrëdhënie shumë të mirë me të. Gjëja më e mirë në kombëtare është konkurrenca, kushdo që të luajë, porta do të jetë e garantuar. Unë apo Strakosha, është trajneri ai që vendos”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë, i konsideruar si zëvendëskapiteni i kuqezinjve, Mërgim Mavraj thekson se pak rëndësi ka shiriti tashmë, të gjithë lojtarët që do të luajnë, do të jenë liderë në fushë.

“Në fushë duhen 11 liderë, nuk ka shumë rëndësi nëse është larguar Lorik Cana apo dikush tjetër. Që një përfaqësuese të ketë sukses, duhet të ketë në fushë 11 luftëtarë që japin më të mirën për skuadrën. Nuk ka shumë rëndësi se kush është kapiteni, rëndësi ka që të gjithë futbollistët të japin maksimumin e tyre në fushë. Është shpejt për të folur për Evropianin e ardhshëm, por ne do të bëjmë gjithçka për të qenë pjesë sërish në Kampionatin Europian të vitit 2020”, u shpreh Mavraj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA