Editorial redaksional i “NYT” – Ish-drejtori i CIA-s, John Brennan goditi më pak sesa mundej të mërkurën, ku u pyet se përse presidenti Trump e uroi homologun e tij rus, Vladimir Putin, për fitoren në një palë zgjedhjesh farsë, edhe pse stafi i Sigurisë Kombëtare të Trumpit e kishte paralajmëruar atë të mos e bënte diçka të tillë.
“Besoj se ai është i frikësuar nga presidenti i Rusisë”, u përgjigj Brennan në emisionin “Morning Joe” të “MSNBC”-së, në lidhje me telefonatën e së martës mes dy presidentëve. “Rusët, mendoj se kanë një eksperiencë të gjatë me Trumpin dhe mund të kenë gjëra që mund t’i ekspozojnë”.
Ideja që Putin të mund të gjejë një pikëmbështetjeje të fortë te presidenti amerikan lulëzoi në sfond gjatë vitit të kaluar, kur Trumpi shfaqi një dashuri mistike për udhëheqësin rus dhe injoroi ose fali sjelljen e tij agresive dhe aktivitetet e neveritshme, mbi të gjitha ndërhyrjen e tij në fushatën presidencialetë vitit 2016, subjekt tashmë i hetimit të ngritur nga prokurori special Robert Mueller.
Disa prej atyre që janë në krah të Trumpit vunë në dukje se presidenti Barack Obama i kishte telefonuar gjithashtu Putinit kur ai u zgjodh president në vitin 2012. Megjithatë, rrethanat nuk janë më të ngjashme, përkundrazi, tejet të kundërta.
Në vitet në vazhdim, Putin u bë edhe më shumë një udhëheqës autoritar, i cili “zhduku” shumicën e kundërshtarëve të tij politikë, duke i hapur kështu rrugë rizgjedhjes së tij me një shumicë të theksuar votash gjatë kësaj jave.
Zyrtarë të shërbimeve sekrete amerikane thonë se, ata janë të bindur se Putin ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 në emër të Trumpit, e me siguri do të përpiqet të ndërhyjë sërish në zgjedhjet e mesmandatit të këtij viti, sikurse edhe në zgjedhjet e disa prej vendeve më të rëndësishme europiane.
Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, po përkrah luftën në disa rajone të tjera të Ukrainës dhe po mban në pushtet presidentin Bashar al-Assad në Siri.
E ndërsa administrata amerikane vendosi së fundi sanksionet më domethënëse ndaj Rusisë për ndërhyrje në zgjedhje dhe sulmet kibernetike, madje ka fajësuar Rusinë për helmimin e ish-spiunit rus dhe vajzës së tij në Britani, Trump është vetëpërmbajtur nga kritikat kundrejt Putinit apo për ta bërë atë përgjegjës.
Telefonata e para pak ditëve përforcon edhe më tej këtë sjellje.
Ajo që Trump nuk i tha Putinit ishte po aq domethënëse sa ajo që mund t’i ketë thënë. Ai nuk i kërkoi Putinit të ndalë ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane, apo zgjedhje të vendeve të tjera, madje as nuk e dënoi rolin e Moskës në helmimin e ish-agjentit rus. Trump nuk përmendi sistemin e padrejtë politik që u privon rusëve të shprehen hapur dhe qartë për qeverinë e tyre.
Sekretarja për Mediet në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Huckabee Sander përforcoi më tej mungesën e interesit nga Trump, teksa iu tha reporterëve se nuk është detyra e Amerikës të diskutojë sesi vendet e tjera i zhvillojnë zgjedhjet e tyre.
Kontrasti i thellë mes Trumpit dhe këshilltarëve të tij, të cilët duken se i marrin kërcënimet nga Rusia më seriozisht, po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.
Një zyrtar i lartë i administratës i tha “New York Times” se Trump nuk dëshiron ta antagonizojë Putinin, pasi nxitja e raporteve të mira është e vetmja rrugë për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Të martën, presidenti tha se shpresonte që ta takonte së shpejti Putinin, për të diskutuar parandalimin e një gare të re armatimesh, garë të cilën që të dy presidentët e kanë inkurajuar përmes fjalimeve të tyre të hapura dhe investimeve të fuqishme mbi prodhimin e armëve të reja.
Angazhimi i Rusisë në këtë detyrë të vështirë të parandalimit të një gare armatimi është pamohueshmërisht i rëndësishëm. Por duket po aq e vështirë të shohësh sesi lavdërimi dhe qetësuar një dhunues do të avancojë më tej interesat amerikane. Kjo nuk është qasja që Trump ka ndërmarrë kundrejt kundërshtarëve të tjerë, si Koreja e Veriut apo Irani, apo edhe me disa prej aleatëve më të ngushtë mbi këtë çështje.
E ndërsa Trump po përpiqet të kënaqë dëshirat e Putinit, kritikat e tij ndaj Muellerit po bëhen gjithnjë e më të ashpra, pasi hetimi po ngre shqetësime gjithnjë e më serioze mbi një rrjet lidhjesh mes bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe Rusisë.
Ish-këshilltari i Trumpit për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn ka pranuar fajësinë për mashtrim mbi përfshirjen e tij në çështjen e bashkëpunimit me Rusinë. Një ish-këshilltar i Politikës së Jashtme, si George Papadopoulos ka pranuar gjithashtu fajësinë se ka gënjyer mbi përfshirjen e tij me rusët. Një prej zv.drejtuesve më të lartë të fushatës, Rick Gates, i cili kishte pasur lidhjet e tij personale me rusët, së bashku me ish-kreun e fushatës tashmë të dënuar, Paul Manafort, ka pranuar gjithashtu fajësinë për mashtrim mbi çështjet e lidhura me rusët.
Mueller i ka dërguar një fletëporosi kompanisë së Trumpit për ndonjë dokument që përfshin Rusinë në këtë mes. Demokratët në Komitetin e Shërbimeve Sekrete të Dhomës së Përfaqësuesve thonë se Trump ka “negociuar aktivisht një marrëveshje biznesi në Moskë, me një bankë ruse të prekur nga sanksionet” gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Madje Mueller ka akuzuar zyrtarisht 13 rusë me akuzën e komplotit për të përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve të 2016-s, në mënyrë që në krye të Shtëpisë së Bardhë të vinte Trumpi.
Frika e zotit Brennan shfaqet qartësisht nga disa prej këtyre elementëve. Brennan di shumë më shumë mbi kërcënimet e mundshme ndaj Amerikës, por ai nuk është i vetmi që po flet. Senatori John McCain, republikan nga Arizona, i dha një “shuplakë” Trumpit kur tha se “një president amerikan nuk mund ta udhëheqë botën e lirë duke uruar diktatorët teksa fitojnë zgjedhje farse”.
Edhe kreu i shumicës në Senat, Mitch McConnel, i cili rrallëherë përplaset me Trumpin, tha se telefonata ndaj Putinit “nuk do të ishte ndër prioritetet e listës sime”. Ndaj, nëse Trump nuk është shërbëtori i Putinit, koha po kalon me shpejtësi për ta provuar këtë. (Marrë nga “New York Times”).
Top Channel