Përvjetori i dytë i sulmeve terroriste në Belgjikë, ku mbetën 32 të vdekur, rikthen sërish kujtimet e dhimbshme për Walter Benjamin, këmba e djathtë e të cilti është amputuar pjesërisht si pasojë e shpërthimit të bombës në aeroport.
Qeveria deklaroi vitin e kaluar se do t’u jepte të mbijetuarve statusin e viktimës, duke i bërë atyre të mundshme të përfitojnë pension dhe rimbursim të kostove mjekësore, por Benjamini thotë se Belgjika ka bërë shumë pak për të ndihmuar të mbijetuarit t’iu kthehen jetesës së mëparshme.
“Është përgjegjësia e qeverisë të mbrojë qytetarët e saj”, thotë Benjamin, i cili hodhi të gjitha kujtimet e tij në një libër për të përballuar situatën e rëndë. “Njerëzit janë braktisur”, shprehet më tej ai.
Trupa ushtarakë patrullojnë rrugët e Brukselit që kur 3 myslimanë të rinj belgë hodhën veten në erë me valixhe-bombë në stacionin e metrosë “Maelbeek” dhe në Aeroportin “Zaventem” më 22 mars të vitit 2016.
Por Benjamini dhe të mbijetuarit e tjerë thonë se ende ndiejnë shqetësime mbi sigurinë, teksa përballen me kujtimet e trishta të atyre sulmeve.
Motra e Philippe Vansteenkiste u vra gjatë njërit prej sulmeve e tashmë ai ka vendosur të drejtojë një grup për viktimat. Ai shprehet se rreth 500 viktima të drejtpërdrejtë dhe indirekt të atij sulmi po përpiqen të vijojnë jetën.
“Njerëzit ecin si të hutuar, duke menduar ‘sa me fat paskam qenë që munda t’iu shpëtoja sulmeve’, por menjëherë më pas nisin edhe simptomat e çrregullimeve post-traumatike të stresit”, thotë Vansteenkiste.
Benjamin kishte planifikuar të udhëtonte me avion drejt Izraelit për të takuar vajzën e tij 16-vjeçare, kur ndodhi shpërthimi në aeroportin e Brukselit. Menjëherë më pas, siç rrëfen ai, një tjetër mysliman i erdhi në ndihmë. Ai kujton momentet tragjike, me synimin për të theksuar se jo të gjithë myslimanët duhen fajësuar për sulmet që ndodhin anembanë botës.
Që prej atëherë, Benjaminin e sheh të nxitojë nga një terminal i aeroportit në tjetrin, si dhe në pikat e kontrollit të sigurisë, teksa flet me të mbijetuar të tjerë të atyre ngjarjeve, pasi bisedimet me të mbijetuarit, qofshin ata edhe të amputuar, e kanë ndihmuar të përballojë stresin.
Top Channel