Kompjuteri që “ringjalli” Kenedin dhe fundi i lajmeve të vërteta

20/03/2018 11:27

Teknologjia bëri që Xhon Kenedi ta lexojë fjalimin e fundit 55 vite pas vdekjes. Shumë shpejt do të jetë e pamundur t’i besojmë lajmet që dëgjojmë.

“Në një botë të ndërlikuar e me probleme të vazhdueshme, plot acarime e strese, SHBA duhet të udhëhiqen nga arsyeja dhe nga të mësuarit, përndryshe, ata që ngatërrojnë retorikën me realitetin, bindjen me faktin, do të fitojnë epërsi duke ofruar zgjidhje që duken të shpejta e të thjeshta për çdo problem botëror.”

Këto fjalë nga fjalimi i fundit i Kenedit, që duhej të lexohej në “Dallas Trade Mart”,  vijnë si paralajmërim nga historia, po aq aktuale sa në vitin 1963. Theksi i tij “Boston Brahmin”, prej elitari bostonian, të mbush me siguri kur e dëgjon edhe pse po jep një mesazh shqetësues. Ndryshimi midis tij dhe Donald Trump-it sot është shumë i dukshëm.

Problemi është që Kenedi nuk i ka thënë kurrë ato fjalë. Ai u vra para se të arrinte te “Dallas Trade Mart”. Sot mund t’i dëgjojmë falë një teknologjie të zhvilluar nga një kompani britanike, “CereProc”. Një sistem kompjuterik ka mbledhur regjistrime nga fjalimet e Kenedit në mitingje të ndryshme, dhe ka prodhuar sot fjalimin e palexuar, me zërin origjinal të Kenedit, duke ruajtur theksin, mimikën dhe intonacionin natyral të presidentit të vrarë.

Rezultati është bindës, edhe pse herë pas here zëri ka një dridhje kompjuterike. Kur je në dijeni që kjo teknologji ekziston, këto dridhje kompjuterike bëjnë ta kuptosh që është sajesë dhe jo fjalim i vërtetë.

Por po të mos ishit në dijeni? Ndoshta do të ishit gënjyer. Për këtë arsye, ky zhvillim ka anën e vet të errët.

Na pëlqen ta shohim zhvillimin teknologjik si diçka që nuk ka lidhje me moralin. I fuqizojmë shkencëtarët dhe inxhinierët që të punojnë të lirë, me shpresën se do të zbulojnë gjëra që të shpëtojnë jetë njerëzish dhe të kursejnë punë. Shkencëtarët nuk kanë pse të mbajnë përgjegjësi nëse teknologjia përdoret për qëllime të tjera. Robotët e prodhuar së fundmi nga “Boston Dynamics” janë aq të zhdërvjellë në video, sa duken se mund ta vënë dikë me shpatulla pas muri e t’ia spërdredhin qafën në çast. Por a mjafton kaq për ta mbyllur këtë fushë kërkimi? Në fund të fundit, robotët mund të kryejnë kirurgji të pamundura një ditë dhe të shpëtojnë jetë njerëzish. Metodat e përdorura për të “ringjallur” Kenedin mund të ndihmojnë njerëzit me sëmundje nervore e motorike, që kufizojnë aftësinë për të folur, si i ndjeri Stephen Hawkings.

Teknologjia si thikë me dy presa nuk është diçka e re. Fizika bërthamore i ka dhënë njerëzimit edhe bomba, edhe energji. Por ndryshe nga më përpara, tani kemi demokratizim të teknologjisë së avancuar, faktin që kushdo që zotëron një kompjuter mund të angazhohet për ta kthyer informacionin në armë. Në vitin 2016, bota u zgjua nën pushtetin e lajmeve të rreme, “fake news”, me teori komploti dhe gënjeshtra që përhapeshin nëpër internet për të ndihmuar Brexit-in dhe Donald Trump-in. Sot mund ta shohim si një luftë të rreme, meqë manipulimi i videove dhe i fotove është ende diçka që verifikohet lehtë. Por kjo sa vjen e bëhet më e vështirë. Një program i zhvilluar nga Universiteti i Stenfordit mundëson çdo njeri që të vendosë fjalë në gojën e politikanëve, në mënyrë shumë bindëse. Së fundmi patëm rastet kur fytyrat e personazheve të famshëm iu vendosën aktorëve nëpër skena pornografike. Shumë shpejt, njerëzit e zakonshëm do ta kenë të pamundur ta bëjnë dallimin midis të vërtetës e sajesës.

Por çfarë pasojash do të ketë kjo? Nëse një personalitet publik quan sajesë përgjimet që mund ta demaskojnë për racizëm apo diskriminim gjinor, bie fjala, a do ta besonim? Si do të funksiononin fushatat zgjedhore, kur me miliona votues do të kishin mundësinë të përdornin manipulime të tilla? Po mesazhet që jepen për të ndërgjegjësuar publikun në lidhje me dobinë e vaksinave apo me rrezikun që vjen nga nafta? Do të manipuloheshin nga mbështetësit e teorive të komplotit e nga kompanitë që u dëmtohen interesat? Mos ndoshta, duke e pasur të pamundur ta besojnë atë që dëgjojnë e që shohin nëpër lajme, njerëzit do të tërhiqeshin e nuk do të angazhoheshin më, duke e lënë publiken në dorën e më të fuqishmëve, më të paskrupujve?

Jemi në pikën që duhet marrë seriozisht mundësia se po shkojmë drejt një apokalipsi informativ. Problemi është që as e kemi idenë se si mund të duket një botë ku fjalët dhe pamjet që u përcillen publikut janë të gjitha të dyshimta, prandaj është e vështirë të mendosh për zgjidhje. Ndoshta nuk do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe. Ndoshta do të zhvillojmë një shqisë që do t’i dallojë sajesat dhe propagandën, siç dallojmë sot telefonatat apo e-mail-et mashtruese. Por nuk ka garanci që do të dimë të vetëmbrohemi nga ky rrezik, dhe, si pasojë, shoqëria mund të fillojë të ndryshojë në mënyra të paparashikueshme.

Ashtu si brezi të cilit i drejtohej presidenti Kenedi me atë fjalim, edhe ne jemi në prag të një epoke të re dhe të frikshme. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të ndahet retorika nga realiteti, bindja nga fakti. Do të mbetemi në pritje të figurave me përmasa të Kenedit që të na ndihmojnë të gjejmë zgjidhje. Deri atëherë, më e pakta që mund të bëjmë është të pranojmë madhësinë e sfidës që na pret.

David Sharitmadari, The Guardian

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA