Tifozët e kanë pagëzuar me emrin “djaloshi i artë” i Formulës 1, ndërsa mediet e quajnë jo pa shkak si “Maksi i çmendur”, për shkak të parakalimeve të guximshme në kufijtë e ekstremit, që shpesh kanë prodhuar “flakë” në pistë dhe në bokse.
Max Verstappen mbetet një nga pilotët më të talentuar, por ai beson se titulli kampion do të vijë vetëm kur të ketë makinën më të shpejtë.
“Njerëzit më pyesin shpesh se çfarë duhet për të pasur sukses. Unë u them që duhet të argëtohesh dhe të parakalosh sa më shumë. Mendoj se me paketën më të mirë dhe makinën më të shpejtë, gjëra që deri tani nuk i kam pasur, titulli do të jetë i imi”, tha piloti holandez.
Në moshën 18-vjeçare, Max Verstappeni u bë piloti më i ri që fiton një garë të Formulës 1, në vitin 2016 në Spanjë, e këtë vit konsiderohet nga të gjithë si “i treti i sikletshëm” në garën për titull.
Sezonin e kaluar, “Mad Max” vuajti nga besueshmëria e makinës dhe u tërhoq në jo pak raste para fundit të garave, e pavarësisht kësaj mori fitore në Malajzi dhe Meksikë. Favoritët janë Hamilton dhe Vettel, por ai do të jetë gjithmonë aty për të prishur punë.
Top Channel