Skenari “Mourinho” i “spastrimeve” te Manchester United

19/03/2018 18:29
Luke Shaw, në aksion gjatë Manchester United-Brighton & Hove Albion.

Jose Mourinho nuk i kurseu kritikat për lojtarët e tij pas ndeshjes me Brightonin, duke lënë të kuptohet se shumë lojtarë janë shumë pranë largimit nga Manchester United.

Ai që vë në dukje një situatë të tillë është tabloidi britanik “Daily Mail”, sipas të cilit trajneri portugez po mendon të bëjë spastrime te klubi anglez dhe më konkretisht janë 9 futbollistë që mund të lënë “Old Trafford”-in; 3 mbrojtës, 5 mesfushorë e një sulmues.

Në mbrojtje, ata që po përgatisin valixhet e tyre janë Daley Blind, Chris Smalling dhe Luke Shaw. Mesfusha duket se është reparti që do të përjetojë revolucionin më të madh. Ander Herrera e ka humbur tashmë vendin në formacionin bazë, edhe pse rendimenti i tij nuk ka qenë i dobët në fillim të sezonit, ndërkohë që edhe spanjolli tjetër Juan Mata është pranë largimit nga Manchester United.

Fakt i kryer konsiderohet edhe largimi i Fellainit, ndërsa Carrick ka deklaruar tërheqjen në fundin e sezonit.

Në repartin e sulmit, i vetmi që është vënë në shënjestër është Anthony Martial. Nuk përmendet Ibrahimoviç, tek i cili prej kohësh nuk besohet, gjë që do të thotë se suedezi nuk është më pjesë e planeve të Manchester United.

Francezi Martial u transferua te klubi anglez për 60 milionë euro, por Lukaku, Sanchez dhe Rashford i kanë zënë vendin, duke qenë se e kanë të garantuar qëndrimin e tyre në skuadër nën urdhrat e Mourinhos.

Por, te Manchester United mendohet edhe për investimet. Media britanike flet për një takim mes Mourinhos dhe drejtuesve të klubit anglez, ku ai u kërkoi 340 milionë euro për blerje të reja dhe në listën e dëshirave të trajnerit janë emra si Danny Rose, Tobby Alederweireld, Fred apo edhe Willian. Por në orbitën e Manchester United është edhe Gareth Bale, edhe pse Mourinho kishte deklaruar se nuk do të kërkonte sulmues të tjerë pas ardhjes së Sanchezit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA