Në pritje të Kukësit të hënën, Skënderbeu e ka çuar në 18 pikë diferencën me ndjekësit, praktikisht një hendek i pakalueshëm që po e çon titullin sërish në Korçë.
Skuadra e trajnerit Ilir Daja fitoi këtë të dielë 2-1 ndaj Luftëtarit. Vendosi gjithçka një fund shpërthyes i pjesës së parë, dy gola pak para pushimit me autor Xhejms Adeniji dhe Sabien Lilaj, ky i fundit me penallti.
Luftëtari rihapi ndeshjen kur Liçaj shënoi me kokë pas një daljeje të gabuar të portierit, por presioni nuk ishte efikas dhe Skënderbeu ruajti fitoren.
Ndeshja mes Laçit dhe Kamzës prodhoi polemika mes ekipeve që ndahen hollë nga kupat europiane dhe zona e mbijetesës. Kurbinasit fituan 2-0, por skuadra mike protestoi jo pak, madje trajneri Ndreu tërhoqi përkohësisht ekipin nga fusha pasi pretendoi se gjykimi ishte i njëanshëm pas një kartoni të kuq ndaj Frashërit. Uzuni dhe Rexhinaldo, ky i fundit në shtesë, ishin autorët e golave për Laçin, që për momentin është në zonën e Europa Ligës.
Teuta e ndezi edhe më shumë luftën për qëndrimin pasi fitoi 3-2 në Lushnje ndaj vendasve, që nuk po respektojnë më as pjesën e mbetur të kampionatit. Skuadra durrsake shënoi golin e fitores në minutën e 93, një sukses “in ekstremis” që shton dyshimet për tolerime. 2 gola për Lushnjen dhe përmbysje totale nga Teuta.
Top Channel