Shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri nuk janë të kënaqshme, e megjithatë janë në rritje. Në një intervistë për “Kosova Press”, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi tha se, pavarësisht pengesave burokratike, Kosova eksporton më shumë në Shqipëri sesa në vendet e tjera të rajonit.
“Janë realizuar 200 milionë euro shkëmbime tregtare në të gjithë fushën e bashkëpunimit. Shqipëria ka eksportuar në Kosovë 150 milionë euro mallra, ndërsa Kosova ka eksportuar 50 milionë euro. Natyrisht, kjo është një shifër e mirë, por prapë ne jemi të pakënaqur, sepse edhe eksportet e Shqipërisë në Kosovë mund të ishin më të mëdha, e anasjelltas”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Minxhozi shtoi se Odat Ekonomike të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të hartojnë politika zhvillimore, që do të ndihmojnë në zgjidhjen e burokracive. Ambasadori ynë në Kosovë shtoi se, brenda muajit prill do të zbatohet marrëveshja e arritur mes dy vendeve për pikën e përbashkët doganore.
Top Channel