Sfida Partizani-Flamurtari, që do të luhet ditën e hënë, është kryendeshja e javës së 26 të Kategorisë Superiore.

Në “Selman Stërmasi” do të përballen dy skuadra që janë në garë për zonën europiane, e për këtë arsye kjo sfidë konsiderohet si shumë e rëndësishme nga ana e trajnerit të Flamurtarit, Shpëtim Duro, i cili pranoi edhe momentin jo të mirë që po kalon skuadra e tij.

“Ndeshja me Partizanin është me rëndësi, pasi të dyja skuadrat kërkojnë Europën. Jemi në një situatë, të cilën e krijuam vetë ne”, tha Shpëtim Duro, trajner i Flamurtarit.

Trajneri i vlonjatëve theksoi se skuadrën e tij e pret një ndeshje shumë e vështirë, kjo edhe për shkak të disa mungesave në skuadër, por shtoi se, pavarësisht gjithçkaje, skuadra e tij do të dijë të përballet me Partizanin.

“Është një ndeshje e vështirë dhe në po përballemi me mungesa. Por skuadra jonë i ka të gjitha aftësitë. Futbollistët tanë janë profesionistë dhe ne kemi një organikë në gjendje që të përballet me skuadrën e Partizanit”, tha më tej Shpëtim Duro.

Më pas, trajneri Duro theksoi se ajo që kërkon tani nga skuadra e tij është që të merret maksimumi në ndeshjet e mbetura, për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë këtij sezoni futbollistik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA