Një muaj më parë, presidenti polak Andrzej Duda nënshkroi ligjin që e bën të paligjshme akuzimin e Polonisë për bashkëfajësi për Holokaustin. Vetëm pak ditë më vonë, teksa fliste për gazetarët, kryeministri polak Mateusz Morawiecki nuk i pranoi kritikat ndaj ligjit dhe nxiti censurën, duke nënkuptuar se edhe hebrenjtë duhen parë si bashkautorë të Holokaustit.

Nga Daniel Schatz (CNN) – Për disa njerëz, kjo polemikë evokon kujtimet e fushatës antisemitike të marsit të vitit 1968, një nismë e qeverisë komuniste të asaj kohe. Fushata solli për pasojë një eksod të detyruar të rreth 15 mijë hebrenjve, përfshi edhe figura të shquara të artit dhe të shkencës, në më pak se çerekshekulli pas Holokaustit.

Edhe pse dhoma e ulët e Parlamentit polak miratoi një rezolutë gjatë javës së kaluar, që dënonte fushatën e vitit 1968, domethënia e saj nuk ka humbur aspak për disa, të paktën për popullsinë hebreje të mbetur atje.

Fushata e asaj kohe kundër hebrenjve polakë nisi nga sekretari i parë i partisë qeverisëse asokohe të “Punëtorëve të Bashkuar të Polonisë”, Ëladyslaë Gomulka, si kundërpërgjigje e luftës 6-ditore të Izraelit ndaj fqinjëve të tij arabë në vitin 1967. Për pasojë, të mbijetuarit e fundit të Holokaustit, në një vend që përpara Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë se 3 milionë qytetarë hebrenj, u deklaruan si “të huaj”, “kozmopolitanë” dhe “zionistë”, e u shpallën armiq të Polonisë.

Gomulka do të theksonte përpara Kongresit të Unionit Tregtar se “agresioni izraelit ndaj vendeve arabe u prit me duartrokitje mes qarqeve zioniste të hebrenjve, qytetarë polakë”, ndaj bëri thirrje për dëbimin e të mbijetuarve të fundit nga vendi i tij.

Komentet e ish-presidentit shkaktuan nisjen e një fushate propagandistike dhe një mobilizimi masiv kundër “armiqve të Polonisë socialiste”. Polakët me origjinë hebreje u bënë subjekte të ngacmimeve të vazhdueshme dhe brutaliteteve fizike, madje edhe u persekutuan për shpërfilljen e shtetit polak. Si përfundim, viktimat e kësaj fushate u larguan nga punët e tyre, nga kampuset arsimore, iu revokua nënshtetësia e u detyruan të emigronin.

Mieczyslaw Rakowski, kryeministri i fundit i epokës komuniste në Poloni, risjell kujtimet sesi një grua nga Krakova me dy djem dhe bashkëshortin e sëmurë i kishte kërkuar presidentit Gomulka përmes një letre, sesi mund t’iu thoshte fëmijëve të saj se tashmë ishin flakur tutje nga vet shteti i tyre.

“Ju lutem më bëni një nder! Më sillni disa kapsula helmi – shkruante ajo. – Nuk gjej më forcë për të jetuar dhe nuk dua që djemtë e mi të kalojnë jetën e tyre duke paguar për shkak se kanë një baba hebre”.

Fushata brutale u zhvillua paralelisht me protestat më masive të nisura nga studentët ndaj shtetit. Polakët me origjinë hebreje u akuzuan se kishin nxitur thirrjet rebeluese për reforma demokratike. Ata u arrestuan, u rrahën, u torturuan dhe u burgosën.

“Humbëm dinjitetin tonë njerëzor dhe të drejtat themelore të njeriut. Ekzistonte një ndjenjë nëpër rrugë se hebrenjtë mund të persekutoheshin lirisht”, thotë Jozef Dajczgewand, i cili u burgos më 12 mars të vitit 1968, e pas torturave të panumërta u dënua me dy vite izolim.

Ai më rrëfeu se, asokohe “policia e kishte urdhëruar të hiqte pantallonat e të thërrisja me të madhe ‘shporruni hebrenj’ teksa më merrnin në pyetje. Mbylla sytë, duke i bërë vetes pyetjen ishin vërtet polakë ata që po kryenin këto akte, apo të njëjtët nazistë që më persekutuan prindërit”.

Menjëherë pas lirimit nga burgu, të gjithë miqtë e tij ia mbathën nga Polonia. “Sigurisht që ndieva jehonën e historisë dhe vendosa të largohesha edhe unë nga vendi”, thotë Dajczgewand.

Viktimat mbetën pa shtetësi, u bënë subjekt i procedurave poshtëruese të dëbimit, përfshi këtu edhe konfiskimin e pasurive të tyre.

Edhe sot e kësaj dite nuk është gjetur ende në zgjidhje e çështjes së kompensimit për të privuarit, madje as autorët e këtyre krimeve nuk janë hetuar apo dënuar.

Ringjallja e intolerancës në diskursin publik gjatë kohëve të fundit ka zgjuar sërish fantazmat e së kaluarës, duke lënë shumë polakë në gjendje shoku. Hanna, e cila ka kërkuar që mbiemri i saj të mos bëhet i ditur për shkak të frikës për sigurinë e saj, është një anëtare e komunitetit hebre të Varshavës. Ajo tashmë ka kuptuar të ketë një vlerësim më të madh për frikën e nënës së saj përballë antisemitizmit.

“Mamaja ime ishte një nga të paktat që qëndroi në Poloni pas fushatës së vitit 1968. Ajo thoshte gjithmonë se hebrenjtë në këtë vend duhet të jenë psikologjikisht të përgatitur për të bërë valixhet gati dhe të largohen shpejt pas një njoftimi të papritur”, thotë Hanna.

Edhe pse mendonte se e ëma mund të “ishte çmendur” kur thoshte të tilla gjëra, Hanna rrëfen se tashmë e kupton fare qartë se nëna e saj mund të jetë më e arsyeshmja nga të gjithë. Një deklaratë e kohëve të fundit nga organizatat polako-hebreje ndan pikëpamjet e saj. “Në prag të 50-vjetorit të ngjarjeve antisemitike të marsit 1968 dhe plot 75 vite pas kryengritjes së getove të Varshavës, hebrenjtë polakë nuk ndihen më të sigurtë në Poloni”.

“Ndoshta ky është cikli i jetës – përfundon Hanna. – Ai cikël ku historia përsërit vetveten sërish”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA