SHBA, në solidaritet të plotë me Britaninë kundër Rusisë

15/03/2018 08:57

Shtëpia e Bardhë u solidarizua me Britaninë e Madhe duke mbështetur vendimin për dëbimin e 23 diplomatëve rusë.

Kryeministrja Theresa May e njoftoi këtë masë, pasi Moska nuk pranoi të jepte informacione sesi ishte përdorur agjenti nervor i prodhuar në Rusi kundër ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

Moska vazhdon të mohojë përfshirjen në sulm. Zëdhënësja e presidentit amerikan Donald Trump, Sara Sanders e akuzoi Rusinë për minimin e sigurisë nëpër botë.

Në deklaratën, që sipas analistëve tregoi se Donald Trump ishte përgatitur të fliste për Rusinë me një gjuhë të papërdorur më parë, thuhej se Shtetet e Bashkuara donin të siguroheshin që ky sulm i neveritshëm të mos përsëritet.

“Dëbimi i diplomatëve rusë u cilësua thjesht një reagim ndaj përpjekjeve të Rusisë për të diskredituar institucionet dhe proceset diplomatike”, siç u shpreh zëdhënësja.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë ishte në një linjë me komentet e bëra më herët nga ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, e cila citoi marrëdhënien e veçantë mes dy vendeve, duke pohuar se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesnin gjithmonë Britanine e Madhe.

Ish-spiuni Sergei Skripal, 66 vjeç, dhe vajza e tij 33-vjeçare Julia, gjenden të shtruar në spital në gjendje kritike për jetën që prej 4 marsit, kur u gjetën pa ndjenja në një stol në Salisbury.

Kryeministrja Theresa May tha se agjenti kimik i përdorur në sulmin kundër tyre i përkiste një grupi agjentësh nervorë, të njohur si “Nivichok”, që prodhohen në Rusi.

Top Channel