Në Tiranë është zhvilluar një takim sensibilizues për parandalimin e kultivimit të kanabasit.
Me iniciativë të prefektes së Tiranës, në takim morën pjesë Zv/Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme, znj. Aida Hajnaj, Drejtori i Drejtorisë Vendore Policisë Tiranë Kastriot Skënderaj, përfaqësues të pushtetit vendor, të agjencive ligjzbatuese, përfaqësues nga Drejtoria Arsimore, Shefat e Komisariateve të Policisë, shefat e sektorëve dhe specialistët e Policimit në Komunitet pranë këtyre komisariateve.
Prefektja Suzana Jahollari ka kërkuar bashkëpunim, koordinim dhe raportime të punës javore nga të gjithë strukturat dhe agjencitë ligjzbatuese, për të arritur qëllimin për kontrollin dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Gjithashtu u kërkua të krijohet harta e sipërfaqes totale të zonave të mundshme për kultivimin e bimëve narkotike.
“Ne si polici kemi hartuar disa objektiva për të parandaluar këtë fenomen, ku qëllimi kryesor ka të bëjë me angazhimin për kontrollin e plotë të territorit, për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara, duke rritur kapacitetet e strukturave të Policisë në luftën kundër këtij fenomeni, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që merren me këtë lloj aktiviteti kriminal”, tha drejtori i policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj.
“Kontrollet duhet të vazhdojnë jo vetëm në zonat që janë kontrolluar një herë, por edhe në ambientet e mbyllura. Duhet të rritet bashkëpunimi midis agjencive të tjera që kanë detyrime për këtë fenomen. Të forcohet pjesa e goditjes së grupeve kriminale, nuk do të ketë tolerim për askënd”, u shpreh në fjalën e saj zv.drejtoresha e përgjithshme, Aida Hajnaj.
Top Channel