Britania do të ngrejë një qendër mbrojtjeje nga armët kimike

15/03/2018 11:11

Britania e Madhe pritet të ndërtojë një “qendër të re mbrojtjeje” ndaj armëve kimike, për t’u vetëmbrojtur nga kërcënimi në rritje prej Rusisë dhe Koresë së Veriut.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson pritet të njoftojë faktin që qendra e re prej 48 milionë paund do ta ketë vendndodhjen në Laboratorin e Shkencës dhe Teknologjisë së Mbrojtjes, në Porton Doën.

Shkencëtarët në laboratorin “Wiltshire” ndihmuan në identifikimin e agjentit nervor të përdorur në sulmin ndaj ish-spiunit rus, Sergei Skripal. Mijëra trupa ushtarakë britanikë pritet të vaksinohen gjithashtu kundër antraksit.

Në një fjalim të kësaj të enjteje, Williamson pritet të thotë se sulmi “tronditës dhe i nxituar” ndaj Skripalit dhe vajzës së tij tregon edhe njëherë rreziqet në rritje nga armët kimike, me të cilat Britania përballet.

Britania ka vendosur të dëbojë 23 diplomatë rusë dhe do të ndërmarrë një sërë masash të tjera në kundërpërgjigje të asaj që e konsideron si fajësi e shtetit rus për përdorimin e një agjenti nervor ushtarak ndaj Skripalit dhe vajzës së tij në Salisbury.

Ai pritet të thotë gjithashtu se, si masë parandalimi, mijëra trupa britanike do të vaksinohen kundër antraksit, një sëmundje bakteriale që prodhon spore, që u përdor edhe në një seri sulmesh bioterroriste në SHBA gjatë vitit 2001.

Williamson, i cili e mori detyrën në nëntor, ka shqyrtuar së fundi sistemet mbrojtëse të Britanisë mes thirrjeve nga deputetët konservatorë për një moratorium që kërkon shkurtimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura dhe ato mbrojtëse.

Top Channel