Vrasja e gazetarit, kryeministri sllovak: Gati të largohem

14/03/2018 22:36

Mes skandalit politik të shkaktuar nga vrasja e një gazetari në Sllovaki, kryeministri Robert Fico u shpreh i gatshëm të japë dorëheqjen. Por kushti i tij është që presidenti të lejojë koalcionin aktual te qeverise deri ne fund te mandatit, pa zhvilluar zgjedhje të parakohshme.

Udhëheqësi sllovak tha se ishte gati të prezantonte një kandidat nga partia e tij për postin e kryeministrit.

“Sot i ofrova dorëheqjen time presidentit të Republikës. Nëse do të pranojë, jam gati të largohem që nesër”, u shpreh Robert Fico, kryeministër i Sllovakisë

Gazetari Jan Kuciak po punonte për një artikull që lidhte politikanë sllovene me mafian italiane, kur u vra së bashku me të fejuarën në apartamentin ku jetonin.

Vrasja që ndodhi rreth një muaj më parë, shkaktoi një stuhi politike në Sllovaki me protesta të mëdha anti-qeveritare dhe thirrje për zgjedhje të parakohshme. Ministri i brendshëm Robert Kalinak dha dorëheqjen 2 ditë më pare pas presioneve të partnerit të koalicionit, partisë Most-Hid.

Presidenti Andrej Kiska kërkoi një riorganizim radikal të qeverise ose zgjedhje të parakohshme javën e kaluar, pasi të 7 personat e arrestuar lidhur me vrasjet u liruan pa asnjë akuzë. Në mesin e tyre ishte një italian që kishte pasur lidhje biznesi me bashkëpunëtorë të Ficos.

Top Channel