Një demokrat dhe një republikan po luftojnë për një grusht votash në zgjedhjet e posaçme për Dhomën e Përfaqësuesve në Pensilvani, që konsiderohen edhe si një test në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit, që do të mbahen në nëntor.
Në këtë garë janë përballë njëri-tjetrit demokrati Conor Lamb dhe republikani Rick Saccone. Të dy ata garojnë për të zëvendësuar Tim Murphyn, që dha dorëheqjen tetorin e shkuar.
Sido që të shkojë puna, festimet do të jenë të shkurtra, pasi fituesi do të nisë sërish fushatën në një qark tjetër. Për shkak të kufijve të rinj të qarqeve, të vendosura nga Gjykata Supreme në janar, qarku 18 do të jetë i ndarë në 4 rajone të ndryshme në zgjedhjet e nëntorit.
Me votat e numëruara në çdo zonë, demokrati Lamb kryeson me një diferencë fare të ngushtë, teksa numëron 49.8 për qind të votave, ndërsa republikani Saccone ka 49.6 për qind. Por tani po numërohen votat në mungesë.
Rezultati përfundimtar mund të përcaktojë tendencën për zgjedhjet e mesit të nëntorit, kur republikanët do të sforcohen jo pak për të ruajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.
Vet Trumpi fitoi në qarkun e Pensilvanisë me më shumë se 20 pikë në zgjedhjet presidenciale të vitit2016, por gara është bërë shumë e paparashikueshme tani, pavarësisht përpjekjeve të tij.
Presidenti e ka vizituar dy herë rajonin gjatë fushatës, ndërsa republikanët kanë shpenzuar miliona dollarë për të ruajtur vendin në Dhomën e Përfaqësuesve. Një fitore e demokratëve mund t’i jepte një hov shpresave të partisë për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në nëntor.
Top Channel