Teatri, kush do e ndërtojë? Privati përfiton falas 4.500 metra truall për katër kulla

14/03/2018 19:45

Projekti i qeverisë për të dhënë me koncesion ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar përmban shumë të panjohura. Ndonëse Kryeministri Edi Rama prezantoi publikisht projektin arkitekturor se si do të jetë teatri i ri, detajet më të rëndësishme të koncesionit nuk janë publike.

Sipas qeverisë, teatri i ri do të ndërtohet përmes një partneriteti publik privat, i cili ka lindur nga një propozim i pakërkuar. Pra ndërtimi i teatrit të ri nuk ka ardhur si kërkesë e qeverisë, por është propozuar nga kompania private. Çka tregon se nuk është interesi publik qëllimi kryesor. Skema parashikon që privati ta ndërtojë teatrin me paratë e veta, por në këmbim ai do të të përfitojë falas tokë publike mbi të cilën do të ngrihen katër kulla për ambiente tregtare dhe qëllime banimi.

Projekti parashikon që privati të marrë të gjitha zonën përreth teatrit kombëtar, një sipërfaqe toke e cila është 7 mijë e 500 metër katrorë duke përfshirë dhe parkingun e bashkisë. Kompania do të ndërtojë teatrin e ri në një sipërfaqe prej 3 mije metrash katrorë dhe do të përfitojë falas gjithë pjesën tjetër prej 4 mijë e 500 metra të tokës publike në zonën më të kërkuar të Tiranës, mbi të cilën do të ndërtojë katër kullat që do të thotë se sipërfaqja e sotme e teatrit do të zvogëlohet.

Kjo është një skemë e ngjashme më atë që qeveria përdori për ndërtimin e stadiumit “Qemal Stafa, ku privatët bëjnë propozime për të ndërtuar vepra shtetërore paratë e tyre dhe në këmbim marrin falas tokë publike në zonat me të shtrenjta të Tiranës.

Por ndryshe nga koncesioni i stadiumit, në rastin e teatrit emri i kompanisë private që qëndron pas koncesionit nuk është bërë i ditur. Jo zyrtarisht përflitet se pas projektit janë disa nga ndërtuesit më të mëdhenj të kullave në kryeqytet, të cilët përmes këtij operacioni të pranuar nga qeveria shtien në dorë tokën publike në zonën më të shtrenjtë të Tiranës.

Pra ideja është që qeveria po ndihmon disa klientë të bëjnë kulla me tokë publike apo po ndihmon teatrin duke i gjetur ndërtues dhe donatorë privatë?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA