I ftuar në “Top Show Magazine”, arkitekti nga Danimarka, Bjarke Ingels, tregoi detajet, mbi projektin e godinës së re, të Teatrit Kombëtar të Tiranës.

Ai tregoi se në Tiranë ka ardhur për herë të parë 7 vite më parë, ndërsa e vlerëson si privilegj të jetë tani në kryeqytetin shqiptar për Teatrin Kombëtar.

“Kam ardhur këtu 7 vite më parë dhe që prej atëherë vij çdo vit. Kur kam ardhur këtu për herë të parë, sheshi “Skënderbej” sapo kishte nisur të transformohej, tashmë ka ndryshuar. Ndërsa të jem tani këtu për teatrin është një privilegj. Ne jemi ftuar për një konkurs, për muzeun e tolerancës. Ishte një ftesë e Kryeministrit dhe e Kryetarit të bashkisë për Teatrin Kombëtar. Për këtë projekt ne kemi filluar para një viti e gjysmë dhe kemi punuar në mënyrë të vazhdueshme. Ne jemi menduar që të krijojmë një ndërtesë që t’i shërbejë teatrit”.

A është ky teatri i parë për arkitektin danez?

“Kemi ndërtuar një ndërtesë përgjatë lumit në Bordo të Francës, por nuk ishte një teatër kombëtar. Është hera e parë që bëjmë një teatër kombëtar, një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe”.

Specifika të veçanta?

“Me transformimet që kanë ndodhur, qyteti ka marrë tjetër jetë dhe ka shumë mundësi, ku hapësirat janë publike. Qyteti është orientuar drejt publikut dhe unë këtë doja të thosha”.

Cila është hapësira që do të ketë teatri i ri?

“Përafërsisht do të trefishohet sipërfaqja. Do të ketë një sipërfaqe 50 përqind më të madhe për spektatorët. Kur e krahason me teatrin ekzistues, 1/3 e ndërtesës është prapaskena. Ka goxha hapësirë për prapaskenën, për të gjithë makinerinë e prodhimit të teatrit, më shumë se ajo ekzistuese”.

A do të ketë ndërtesa të larta? Do të merreni vetëm me teatrin apo me të gjithë hapësirën që i përket teatrit tani?

“Ne do të merremi me të gjithë hapësirën, në fund nga pikëpamja urbaniste do të jetë një mjedis i përbashkët. Në muajt e ardhshëm do të përkufizojmë edhe dizenjot e ndërtesave që do të jenë pas. Ne po projektojmë edhe ndërtesat prapa. Teatri është pjesë e një projekti më të madh, por ai do të jetë një ndërtesë e vetme. Ne do të lidhim mjediset me njëri-tjetrin”.

Top Channel