Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i ka bërë apel ujësjellësave të mos shpërdorojnë arkëtimet nga aksioni, por të shlyejnë borxhet.
Bashkë me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, ata ndodheshin në një prej qendrave të Kujdesit ndaj Klientit në Ujësjellësin e Elbasanit ku përsëriti apelin për rikthimin e ligjshmërisë në këtë sektor.
Drejtori i ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Elbasan deklaroi se po ushtrohen kontrolle ndaj të gjithë abonentëve në terren duke verifikuar lidhjet e paligjshme dhe legalizuar ata klientë që janë informalë.
“Lufta ndaj informalitetit në sektorin e ujit të pijshëm ka hyrë në një fazë shumë intensive. Diku ka ecur mirë dhe diku ka nevojë për më shumë përmirësime. Këtu në Elbasan mendoj se ka nevojë për më shumë përpjekje. Qeveria është treguar bujare dhe mbështetëse me Bashkinë e Elbasanit, me ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve duke dedikuar mbi 3 milion euro investime. Investimet do të vazhdojnë por ne presim të kemi një performancë më të mirë nga ndërmarrja e ujësjellësit”, u shpreh Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri sqaroi se sëbashku me ministrin e Financave dhe Ekonomisë kanë firmosur një shkresë të përbashkët përmes të cilës u kërkohet kryetarëve të bashkive që të disiplinojnë shpenzimet dhe të mirëadministrojnë të ardhurat e krijuara shtesë si pasojë e aksionit për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit.
Dy ministrat kërkojnë nga kryetarët e bashkive që të ardhurat shtesë të krijuara nga aplikimi i masave të qeverisë në kuadër të zbatimit të reformës së ujit, duhet të përdoren për shëndoshjen financiare të ndërmarrjeve, pa ndërmarrë politika të reja si rritje pagash, shpërthimesh etj. Gjithashtu kërkohet që të ardhurat shtesë, me prioritet duhet të përdoren për të shlyer detyrimet vjetore të ndërmarrjeve dhe domosdoshmërisht ato të prapambetura, veçanërisht të energjisë elektrike.
Top Channel