Britania mund të nisë luftë kibernetike me Rusinë. Por a e dëshiron këtë?

14/03/2018 14:58

Mes të gjitha opsioneve që Theresa May ka në tryezë për të mundësuar “hakmarrjen” ndaj Rusisë pas tentativës së vrasjes së një ish-spiuni rus në tokën britanike, ajo e një sulmi kibernetik duket më e përshtatshmja.

Nga ANNABELLE DICKSON dhe LAURENS CERULUS – Kryeministrja britanike mund të përdorë pikërisht metodën aq shumë të dashur nga Moska, atë të sabotazhit kibernetik, për t’i dhënë një mësim Kremlinit, duke theksuar aftësitë e fshehta të Britanisë së Madhe me shumë pak rrezik për një luftë “të nxehtë” mes tyre.

May caktoi mesnatën e së martës si afat ultimativ për Kremlinin, që të shpjegonte sesi një agjent nervor i prodhuar nga qeveria ruse rezultoi të jetë përdorur në sulmin ndaj agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Salisbury, në jug të Anglisë. Rusia, nga ana e saj mohoi përfshirjen. “Nuk kemi të bëjmë me këtë ngjarje”, tha ministri i Jashtëm Sergey Lavrov.

Por, ndërsa raportet e medieve sugjeronin se zyrtarë të lartë po shqyrtonin edhe një kundërpërgjigje kibernetike përballë asaj që May e quajti “përdorim i paligjshëm i forcës”, ligjvënës të lartë britanikë dhe ekspertë ndërkombëtarë paralajmëruan kundër “zgjimit të ariut rus” veçanërisht përmes këtij mjeti.

“Moska ka jo vetëm disa ndër programet më të avancuara të luftës kibernetike në botë – thonë ata, – në rast të ndonjë sulmi masiv nga Britania, presidenti rus Vladimir Putin është thuajse e sigurtë se do të reagonte në të njëjtën mënyrë, duke ndezur kështu një spirale hakmarrëse që mund të përshkallëzohej në një luftë të fuqishme elektronike”.

“Rusët kanë aftësi të mëdha në frontin e kibernetikës, përfshi këtu agjencitë e organizuara shtetërore, por edhe të gjithë elementët mafiozë që janë të lidhur me ta”, thotë Keith Simpson, anëtar i Komitetit të Sigurisë dhe Inteligjencës, që heton zakonisht shërbimet sekrete britanike.

Pavarësisht “kapaciteteve të konsiderueshme” të Britanisë për të ndërmarrë një luftë kibernetike, nisja e një të tille jo vetëm që nuk do të ishte një dhe e vetme, – shton politikani, – por do të ishte një veprim që do të kërkonte kohë dhe është e natyrshme që Rusia do të kundërpërgjigjej gjithashtu”.

Në fakt, Britania është përgatitur për skenarë të këtij lloji prej vitesh. George Osborne, ish-kancelari i Britanisë që tashmë është redaktor i “London Evening Standard”, ishte ai që nxiti përmirësimin e ndjeshëm të kapaciteteve kibernetike të Britanisë në vitin 2015, sipas një burimi me njohuri mbi këtë temë.

Ai urdhëroi një Strategji të re Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, që do të hidhte investime të shumta në Programin Kombëtar të Sulmeve Kibernetike, një partneritet mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe agjencisë kryesore të shërbimeve sekrete britanike, “GCHQ”.

Një raport i dhjetorit nga Komiteti britanik i Sigurisë dhe Inteligjencës bënte të ditur se kapacitetet e spiunazhit kibernetik në Britani janë dyfishuar e ndoshta diçka më shumë gjatë vitit të kaluar. Ndërsa ish-Sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon pranoi për herë të parë në një fjalim të vitit të kaluar, se Londra ka përdorur “sulmet kibernetike ofensive” kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik.

Gatishmëria për të shfrytëzuar këtë armë “sulmuese” kibernetike e vendos Britaninë në rendin e të parëve të fuqive kibernetike në botë, teksa kalohet vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa duket se “është baraz” me Rusinë, siç thekson Alexander Klimburg, drejtor i Politikave Kibernetike dhe Programit të Aftësive ripërtëritëse në Qendrën për Studime Strategjike të Hagës.

“Ata (Britania) kanë një reputacion të mirë – shtoi ai. – Nëse flasim për operacione, ata janë përfshirë në veprime të fshehta online dhe kanë zhvilluar qasjen e tyre për këto veprime. Kanë shumë eksperiencë në këtë drejtim”.

Në dhjetor, “GCHQ”-ja zbuloi se ishte duke zhvilluar një “spektër të plotë” të armëve kibernetike, nga mjetet taktike e deri te mjetet e sigurisë së lartë, që siç thanë zyrtarë të saj mund të mos përdoren kurrë. E megjithatë, deri tani këto mjete specifike në dispozicion të Britanisë janë mbajtur sekret.

Opsionet e mundshme për një fuqi të tillë përfshijnë një gamë të gjerë, nga skemat e të ashtuquajturave “pishing” për të fokusuar sulmet ndaj individëve të caktuar online, e deri te mbyllja e rrjetit elektrik të një qyteti nga distanca, apo edhe piratimi i rrjeteve.

“Çdo gjë që mund të mendoni është e mundur në kibernetikë, – thotë Klimburg. – Sa i përket niveleve të larta, ato nisin me fikjen e energjisë elektrike në nivel qyteti, e deri te detaje më specifike si ndryshimi i llogarive bankare apo identiteteve”.

Britania mund ta justifikojë një lëvizje të tillë, që mund të ngjitet deri në një “akt lufte”. Bazuar në ligjin ndërkombëtar, Britnaia ka të drejtë të mbrohet përballë asaj që May e përshkroi si “përdorim të paligjshëm të forcës”, duke aktivizuar nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që citon “të drejtën e pandalshme të vetëmbrojtjes individuale apo kolektive” në rast të ndonjë sulmi të armatosur.

Por, duke e çuar këtë çështje në Kombet e Bashkuara, Londra do të “gjunjëzohej” sa i përket diskutimeve diplomatike. Ndërsa një sulm kibernetik i njëanshëm ndaj Rusisë do të humbiste atributin kryesor të kësaj “arme”: fshehtësinë e saj dhe faktin që shteti nismëtar nuk mund ta mohojë përgjegjësinë.

Një tjetër rrugëzgjidhje do të ishte kërkesa ndaj aleatëve për të ndihmuar në nisjen e një operacioni kibernetik. NATO njoftoi gjithashtu një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve kibernetike vitin e kaluar. Në një deklaratë të së hënës, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg këmbënguli se aleanca “është në kontakt me autoritetet britanike mbi këtë çështje për mënyrën sesi do t’i kundërpërgjigjen tentativës për vrasje”.

E megjithatë, jo të gjithë zyrtarët janë të bindur se sulmi kibernetik është opsioni më i mirë. Për Simpsonin, do të ishte më mirë të goditen aleatët e Putinit aty ku u dhemb më shumë: te xhepat e tyre. “Duke i mohuar atij (Putinit) dhe miqve të tij paratë apo aftësitë për të ricikluar paratë përmes bankave të Perëndimit, kjo do t’iu shkaktonte atyre më shumë dhimbje”, thotë ai.

Për Klimburgun, ka edhe një tjetër rrugë të preferuar: konfiskimi i aseteve. “Britania ka shumë mjete të tjera në dispozicion, veçanërisht konfiskimi i aseteve të atyre që njihen si aleatë të afërt të Putinit. Ka shumë mënyra për t’u kundërpërgjigjur, ndaj kibernetika është vetëm një pjesë e puzzle-it”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA