“SIPRI”: SHBA dhe Europa, shitësit më të mëdhenj të armëve

13/03/2018 11:47

Importet e armëve nga shtetet e Lindjes së Mesme janë dyfishuar gjatë dekadës së shkuar, me Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane që janë furnizuesit më të mëdhenj me armë në rajon.

Ky është një nga konkluzionet kryesore të raportit më të fundit të “SIPRI”-t, Institutit ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen, me seli në Stokholm.

Instituti i pavarur, që ka në fokus kontrollin e armëve dhe çarmatimin, thotë se vëllimi i ngarkesave ndërkombëtare të armëve është rritur me 10 për qind në përiudhën 2013-2017, krahasuar me 5-vjeçarin e mëparshëm, kjo kryesisht për shkak të rritjes së importit të armëve në Lindjen e Largët dhe atë të Mesme.

Pesë shtete; SHBA, Rusia, Franca, Gjermania dhe Kina; zënë pothuajse 3/4-tat e eksporteve totale të armëve gjatë 5 viteve të shkuara.

Sipas raportit, importet e armëve nga shtetet në Lindjen e Mesme janë rritur me 103 për qind në periudhat 2008-2012 dhe 2013-2017, duke zënë thuajse një të tretën e importeve globale të armëve.

Raporti nënvizon se në 5 vitet e shkuara, më shumë shtete në rajon janë përfshirë drejtpërdrejt në konflikte të dhunshme. Veçanërisht lufta në Jemen besohet se i ka dhënë një shtysë shitjes së armëve nga Europa.

“SHBA dhe shtetet europiane mbeten eksportuesit më të mëdhenj të armëve, teksa kanë ofruar mbi 98 për qind të armëve të importuara nga Arabia Saudite”, tha Pieter Wezeman, kërkues në “SIPRI”.

Sipas raportit, Shtetet e Bashkuara janë furnizuesit kryesorë me armë në botë, ndërkohë që roli i Rusisë është zbehur disi, për shkak edhe të problemeve të saj të brendshme.

Top Channel