Sebastian Vettel flet me nota optimizmi përpara nisjes së Botërorit të Formulës 1, pas më pak se dy javësh, me garën e parë në Melbourne të Australisë.
“Te Ferrari jemi të gjithë të motivuar, madje edhe unë përpiqem të ushtroj presion te vetja ime. Gjëja më e rëndësishme është të mbetemi të bashkuar si skuadër dhe të kemi një objektiv të qartë”, thotë piloti gjerman i “kokëkuqes” italiane.
Në intervistën dhënë për “Sport Bild”, gjermani 4 herë kampion bote nuk e ka fshehur motivimin e madh që ekziston brenda skuderisë italine, që kërkon me çdo kusht të sjellë në Maranello titullin e kampionit për pilotë, që mungon prej vitit 2007.
“Pasioni i njerëzve brenda Ferrarit është i ndjeshëm dhe të gjithë po sakrifikojnë diçka personale për të arritur te suksesi i ekipit”, deklaron Vettel.
Por cila është gjendja e Ferrarit të ri?
“Besoj se SF71H është një bazë e mirë nga ku mund të nisemi të qetë. Tani po punojmë për t’u zhvilluar e për të gjetur çdo detaj që do ta përmirësonte edhe më shumë potencialin e makinës. Kam shumë besim te skuadra. Kemi bërë një punë të mirë deri më tani, duke përshkuar në total 4.323 km. Unë vet kam përshkuar 875 brenda një dite, baravlefshëm me 188 xhiro, ndërsa në total afro 3.000 km. S’kemi pasur asnjë problem me peshë te makina, kështu që thjesht jam argëtuar duke pilotuar. Rivalët? Mercedesi e Red Bulli kanë përdorur vetëm një lloj gomash për të simuluar një garë të plotë, por kjo nuk mund të ndodhë në një Çmim të Madh, pasi aty ndikojnë edhe strategjitë në rezultatin përfundimtar. Mezi pres të fillojmë, por kam besim te makina që kam në dispozicion”, shprehet Seb Vettel.
Edhe pse 4 herë kampion bote, motivimi i tij mbetet si të ishte një rishtar që kërkon titullin e parë. E sa i përket rivalit të tij më të madh, Leëis Hamilton, Vettel thotë se “edhe ai është 4 herë kampion bote, një nga më të mirët në historinë e Formulës 1. E kam rival në pistë, por jo në jetë. Sinqerisht nuk më intereson se ndaj kujt garoj, por është e qartë se, nëse mund Hamiltonin dhe Alonson është përfundimisht gjëja më e bukur dhe të bën të ndihesh krenar. Niveli i këtyre dy pilotëve dihet”.
Për risitë e vitit 2018, si futja e sistemit mbrojtës “Halo”, që montohet në makinë përpara kaskës së pilotit, Vettel shprehet me rezerva për “Halo”-n për arsye estetike, por nuk e paragjykon pasi duhet pritur efektshmëria në sigurinë e pilotëve. Nëse edhe një jetë e vetme piloti do të shpëtohet prej saj, atëherë ia vlen të gjykohet, sipas gjermanit. Ndërsa për mungesën e vajzave me minifunde e çadra që shoqëronin pilotët përpara nisjes, të cilat janë zëvendësuar me fëmijë në hapat e parë të pilotimit, Vettel thotë se i pëlqen të shohë fëmijët, siç ndodh edhe në futboll prej kohësh, e kjo është një ide e bukur edhe në Formulën 1.
Top Channel