Marrë nga Bloomberg, opinion nga Hal Brands:

Që në çastin kur Rex Tillerson bëri betimin si Sekretar Shteti i SHBA-ve, rreth një vit më parë, u pa qartë që mandati i tij do të ishte jetëshkurtër dhe pa lënë gjurmë domethënëse. Ndonëse ai qëndroi aq gjatë në post sa për të krijuar idenë se ndoshta nuk do të largohej, shkarkimi i tij konfirmoi gjykimet e para.

Siç kanë vënë në dukje shumë opinionistë, pas 14 muajsh në detyrë, Tillerson-i po lë pas një Departament Shteti më të demoralizuar dhe më të dobët, që vazhdon të largojë njerëz të talentuar dhe me përvojë. Por një nga ironitë e epokës së Trump-it është që shkarkimi i Tillerson-it dhe zëvendësimi i tij me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo, mund të mos jetë lajm i keq, për sa i përket asaj që duhet të pritet nga presidenca “Trump” në vitin e dytë të mandatit dhe më tej. Është e qartë që shkarkimi i Tillerson-it do t’i rikthejë Departamentit dhe Sekretarit të Shtetit  një rol më domethënës në politikën amerikane. Por kjo mund të tregojë po ashtu se Trump vazhdon të largojë me sukses pengesat që nuk e kanë lejuar të bëjë më shumë dëme.

Politika e jashtme e Trump-it nuk ka qenë shumë e mirë, siç kam vënë në dukje në librin tim “Strategjia Madhore Amerikane në Epokën e Trump-it”. Por të paktën ka qenë më pak radikale se ç’pritej, pas retorikës së ashpër që shfaqi në fushatë. Si kandidat, Trump jepte përshtypjen se do të shkatërronte aleanca, do të zhbënte marrëveshje për tregti të lirë në favor të  proteksionizmit vendas, dhe se do ta përmbyste traditën e politikës së jashtme që kishte trashëguar. Megjithatë, gjatë vitit të parë të mandatit, Presidenti Trump nuk e mbajti shumicën e këtyre premtimeve.

Po, vërtet Trump e shkëputi Amerikën nga Partneriteti Trans-Paqësor, dhe madje njoftoi se do të bënte të njëjtën gjë me marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike. Po, vërtet ka prishur aleanca e partneritete me sjelljen e tij të ashpër. Po, Trump ka kërcënuar të prishë marrëveshje tregtare, që nga NAFTA e deri te marrëveshja dypalëshe tregtare me Korenë.

Por vendimet simbolike kanë qenë më të shumta se ato reale. Për shembull, Trump nuk e shkëputi Amerikën nga NAFTA, pavarësisht dëshirës të qartë; nuk e rivendosi ligjin e torturës, edhe pse e kishte vlerësuar shpesh si metodë të dobishme. Trump, madje, e mbajti Amerikën brenda marrëveshjes me Iranin, të cilën e kishte qortuar shpesh gjatë fushatës zgjedhore. Edhe për shumë çështje të tjera, si Afganistani dhe Shteti Islamik (ISIS), politika e presidentit Trump nuk ka qenë më ndryshe nga ajo që do të kishte ndjekur çdo administratë tjetër republikane.

Ka shumë arsye për këtë, por arsyeja më kryesore është fakti që Trump thjesht ka qenë i rrethuar nga këshilltarët e tij më të rëndësishëm.  Botëkuptimi i Trump-it ishte aq i prapranueshëm, sa ishte e pashmangshme që do t’i duhej ta rrethonte veten me këshilltarë që nuk pajtoheshin plotësisht, ose edhe pjesërisht, me nacionalizmin e tij “Amerika e Para”. Kabineti ka arritur t’ia moderojë impulset presidentit me sukses,  në lidhje me shumë çështje.

Sipas disa raportimeve në shtyp, për shembull, ndërhyrjet e këshilltarëve Gary Cohn, kryetar i Këshillit Kombëtar të Ekonomisë, dhe Sonny Perdue, Sekretar i Bujqësisë, arritën ta bindin Trump-in që të mos e prishë marrëveshjen NAFTA që pranverën e vitit 2017. Po ashtu, gjatë verës së vitit 2017, është raportuar se këshilltarët për sigurinë kombëtare u bashkuan duke e kundërshtuar Trump-in, dhe jo vetëm që nuk lejuan të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore me Iranin, por e shtynë të kërkojë negociata të reja. Ndryshe nga ëndrrat e ethshme të mbështetësve të teorive të komplotit, kjo nuk ishte vepër e “mekanizmave të thellë shtetëorë”. Kanë qenë vetë këshilltarët e caktuar nga Trump ata që ia hoqën timonin nga dora, për të mos lejuar që ta fuste politikën e jashtme amerikane në ndonjë  hendek.

Rezultati i këtyre rasteve bëri që të përhapet ideja se Trump po moderohej. Megjithatë, duket  se presidenti ka ide të tjera.

Në një editorial të mëparshëm kam argumentuar se politika e jashtme e Trump-it mund të jetë shumë më trazuese gjatë vitit të dytë të presidencës sesa në vitin e parë. Një nga arsyet ishte se administrata e Trump-it thjesht i kishte shtyrë për më vonë çështjet delikate si Irani dhe NAFTA. Kjo do të thotë që Trump duhet të përballet shumë shpejt me dy zgjedhje: ose ta përshkallëzojë situatën, ose të tërhiqet. Një tjetër arsye është se presidentit do t’i shtohet presioni politik për të mbajtur disa nga premtimet, me afrimin e zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2018.

Frika ime ishte se e gjitha kjo, si dhe fakti i pashmangshëm që Trump do të lodhej së qeni i kontrolluar nga këshilltarët, do ta tundonin të çlirohej nga këto pengesa dhe të sillte ndryshime rrënjësore në politikën e jashtme amerikane. Dhe pikërisht kjo duket se ka nisur të ndodhë tani.

Shembull konkret janë tarifat për çelikun dhe aluminin që u vendosën javën e shkuar. Thuhet se këshilltarët presidencialë “të establishmentit” luftuan fort kundër këtyre tarifave, por Trump i shpërfilli, duke vendosur të mbështesë nevojat proteksioniste të nacionalistëve ekonomikë si Peter Navarro dhe Robert Lightizer. Menjëherë pas këtij vendimi erdhi dorëheqja e Cohn-it, si një ogur i zi që tregonte se ekuilibrat e pushtetit ishin duke ndryshuar, ndërkohë që faza e negociatave të reja të NAFTA-s arritën në fazë kritike. Largimi i Tillerson-it mund të ketë zhvillime të ngjashme për çështje të tjera të politikës së jashtme.

Në fund të fundit, Tillerson, pavarësisht të metave që tashmë janë të dokumentuara, ishte një nga ata këshilltarë që përpiqeshin ta bindnin Trump-in të shmangte prishjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, duke krijuar një dëm të madh për Amerikën. Presidenti duket se është lodhur me kundërshtimet e Tillerson-it në këtë çështje, (e madje e ka përmendur si një nga arsyet që e shtynë për ta shkarkuar) dhe prandaj e ka zëvendësuar me Pompeon, i cili ka qenë shumë aktiv kundër marrëveshjes me Iranin, e madje është përpjekur disa herë ta dobësojë e ta çojë deri në mbyllje.

Largimi i Tillerson-it mund të tregojë që mbrojtësit e marrëveshjes bërthamore po pakësohen, ndërkohë që muaji Maj po afrohet, data e fundit që ka caktuar Trump për të rinegociuar marrëveshjen me Iranin. Përveç kësaj, shkarkimi i Tillerson-it tregon që Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, po humbet një aleat  shumë të rëndësishëm.  Është raportuar se të dy sekretarët janë vendosur disa herë si pengesë ndaj Trumpit, për ta mbajtur më gjatë brenda rrjedhës normale.

Për të qenë të qartë, largimi i Tillerson-it mund të jetë më shumë pozitiv. Për ata që besojnë se për diplomacinë amerikane duhet një Sekretar Shteti që ka vëmendjen e Presidentit, atëherë largimi i Tillerson-it mund të jetë një hap në drejtimin e duhur. Për ata që besojnë se  përpjekjet e Tillerson-it për të riorganizuar Departamentin e Shtetit ishin të pamenduara dhe joproduktive, largimi i tij mund të jetë i mirëpritur. Pompeo, nga ana tjetër, duke qenë në krye të CIA-s, duhet ta kuptojë me siguri se çfarë rreziku i kanoset Amerikës nga ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane, e madje edhe në zgjedhjet e vendeve të tjera.  Por se sa do të jetë i aftë ta bindë Trump-in të marrë masa, kjo është çështje tjetër.

Pyetja kryesore me Trump-in mbetet gjithnjë nëse betejën për drejtimin e shtetit amerikan do ta fitojë Trump apo këshilltarët e tij të përgjegjshëm. Dhe këto ndryshime të Departamentit të Shtetit mund të jenë një shenjë paralajmëruese për atë që pritet në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA