Bisedimet Kore e Veriut-SHBA, asnjë përgjigje nga Peniani

12/03/2018 09:35

Koreja e Jugut nuk ka marrë ende një përgjigje nga Peniani për një takim mes liderit koreano-verior, Kim Jong-un dhe Presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ne nuk kemi parë dhe as nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare nga regjimi koreano-verior në lidhje me takimin kore e Veriut-ShBA. Mendoj se ata po e trajtojnë këtë çështje me maturi dhe kanë nevojë për kohë që të organizojnë qëndrimin e tyre”, tha një zëdhënës i Ministrisë Koreano-jugore të Unifikimit.

Zyrtarët koreano-jugorë janë nisur edhe drejt Kinës për të diskutuar mbi takimin me homologët në Pekin, që shihet edhe si mbështetësi i fundit i regjimit koreano-verior. Ata do të udhëtojnë më pas drejt Japonisë, që ashtu si SHBA është kërcënuar disa herë nga Peniani. Propozimi i papritur për një takim vjen pas më shumë se një viti retorikash të nxehta mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së dhe shqetësimit global se armiqësitë mund të përshkallëzohen deri në konfrontim ushtarak.

Koreja e Veriut ka kryer disa teste bërthamore gjatë viteve të shkuara dhe ka zhvilluar raketat me rreze të gjatë veprimi që thotë se mund të hedhin testata bërthamore deri në SHBA-në kontinentale. Bisedimet mes dy vendeve do të shënonin një hap të paprecedentë në konflikt pasi asnjë president në detyrë nuk është takuar ndonjëherë me një lider koreano-verior.

Sidoqoftë, detajet mbeten të paqarta. Analistët ndërkohë mbeten skeptikë për atë se çfarë mund të arrihet përmes bisedimeve, kjo falë kompleksitetit të çështjeve që janë në lojë.

Top Channel