“Lotët e një qyteti të tërë, një lidhje deri në përjetësi. Udhëtim të mbarë Kapiten! “Askush nuk vdes për sa kohë jeton në zemrën tënde”; me këto parulla, tifozët e Fiorentinës dhe Beneventos shprehën dhimbjen e fortë që ekziston ende për ndarjen nga jeta të kapitenit të skuadrës violë, Davide Astorit.
35 mijë persona ishin të pranishëm në “Artemio Franchi” të Firences, për të bërë homazhet e fundit të kapitenit, pikërisht në prag të sfidës mes Fiorentinës e Beneventos, homazhe prekëse ku ishte e pamundur për të përmbajtur lotët. Ishin 35 mijë persona që përfaqësuan një qytet të tërë në shprehjen e dhimbjes ende të madhe për humbjen e futbollistit 31 vjeçar.
Minuta e heshtjes e mbajtur nga futbollistët e të dyja skuadrave drithëruese. Qetësia ishte e plotë ku asgjë nuk pipëtinte, ndërkohë që askush nga të pranishmit nuk mundi të fshehë lotët. Fluturimi drejt qiellit i tullumbaceve të bardha dhe violë ishte përshëndetja për Davide Astorin që i la më pas vendin futbollit të luajtur me ndeshjen që në minutën e 13 u ndërpre për një tjetër homazh për Astorin
Me emrin e kapitenit në fanelat e futbollistëve, Fiorentina e zhvilloi ndeshjen me Beneventon në një klimë surreale me skuadrën violë që deshi ta çojë deri në fund nderimin për 31-vjeçarin dhe e bëri këtë duke fituar këtë përballje edhe pse me rezultatin minimal.
Goli i Hugos ishte ai që vulosi fitoren më të trishtuar të Fiorentinës pasi nuk mund t’i gëzohej dot pa kapitenin e saj.
Top Channel