Të dielën e kaluar, kapiteni i Fiorentinës, Davide Astori do të gjendej i pajetë në dhomën e tij të hotelit, lajm që tronditi mbarë botën e futbollit. Pikërisht sot, në orën 12:30 Fiorentina do të presë Beneventon në ‘Artemio Franchi’, në takimin e parë pas ngjarjes tragjike.
I ka takuar trajnerit të skuadrës, Stefano Pioli, që të dalë i pari dhe të flasë për futboll, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së sotme, ndonëse të anashkalosh tragjedinë e fundjavës së kaluar, duket thuajse e pamundur.
“Ishte një lojtar dhe njeri shumë i madh, ndaj edhe ka arritur të lërë gjurmë në të gjithë ambientin vjollcë. Skuadra ime vuan dhe qan, por e dimë mirë se çfarë duhet të bëjmë për të nderuar figurën e Astorit”, tha Pioli.
Tekniku i Fiorentinës bëri edhe një përshkrim të ish kapitenit të skuadrës së tij, për mënyrën se si Pioli e njohu Astorin.
“Davide gjithmonë gjente rrugën dhe kohën e duhur për të thënë gjërat. Ishte bujar, pozitiv, i disponueshëm dhe altruist. Për fat të keq unë kam gëzuar atë për shumë pak kohë dhe do të më mungojë shumë. Më mungon çdo ditë që shkoj në fushë. Një mendim edhe për familjen, që janë njerëz të veçantë, i përqafoj dhe së shpejti do t’i takoj. Për Francescan dhe Vittorian nuk di ç’të them, vetëm se gjithmonë do të jemi aty për ta”, tha Pioli, duke u përlotur.
Tifozët e Fiorentinës u solidarizuan të gjithë me dhimbjen e skuadrës dhe ishin të shumtë në numër, në ceremoninë e varrimit të kapitenit të tyre, fakt që u evidentua edhe nga Pioli.
“Tifozët tanë ndonjëherë kanë gjuhën e gjatë, por një zemër shumë të madhe. Doja t’i përqafoj ata një nga një, për të ngushëlluar veten dhe për të gjetur forcën për të ecur së bashku. Një falënderim për gjithë botën e futbollit, sepse një pjesëmarrje aq e plotë e solidaritetit është merita e Davides, por kjo do të thotë se ka sigurisht parimet dhe vlerat e veta edhe ky sport”, u shpreh trajneri i Fiorentinës.
Në fund trajneri Pioli vlerëson sjelljen e shoqërisë në këtë situatë të rëndë dhe ka një mesazh për lojtarët e Fiorentinës.
“Shoqëria jonë është karakterizuar edhe njëherë nga serioziteti, ndjeshmëria dhe disponueshmëria, duke bërë gjithçka për të ndihmuar ekipin. Ne qajmë dhe vuajmë, sepse Davidi ishte pikë referimi, por ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të nderuar kujtimin e tij. Më pëlqen të stimuloj lojtarët duke thënë: përpiquni të punoni dhe të luani sikur ishte hera e fundit. Por Davidi nuk kishte për të thënë këtë. Ai na la shumë vlera shumë për të vazhduar. Gjëja më e madhe që na ka lënë është pasioni, serioziteti dhe ndjeshmëria. Të gjithë të bashkuar, në kujtim të Davidit”, mbyll intervistën e tij Pioli.
Top Channel