Bazuar në një raport të fundit të Dhomës së Lordëve në Britani se BE ka zgjedhur stabilitetin mbi vlerat demokratike në Ballkanin Perëndimor, Foreign Policy ka publikuar edhe një analizë për Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, duke vënë në dukje se gjithnjë e më tepër po krijon një pushtet autokrat.

Një raport i kohëve të fundit nga Dhoma e Lordëve në Britani evidenton se Bashkimi Europian ka zgjedhur “stabilitetin mbi vlerat demokratike” në Ballkanin Perëndimor dhe shpreh “shqetësim serioz se arritjet e bëra drejt qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit janë në rrezik të humbasin teksa vendet e rajonit rrezikojnë të kthehen në një udhëheqje autoritare”, shkruan Foreign Policy duke shtuar se autorët e raportit e kanë një pikësynim: shumica e qeverive post-Jugosllave janë bërë më tepër “stabilizuese” sesa demokratike – dhe askund se sa në Serbi kjo dinamikë nuk është më e dukshme.

Teksa shpjegon se si Vuçiç ngjiti shkallët e karrierës pasi partia e tij mori pushtetin në 2012-ën, duke kaluar nga ministër i Mbrojtës, kryeministër, e tashmë president, nuk anashkalon periudhën kur ai shërbente si ministër e Informacionit në Qeverinë e Milosheviçit në ditët e fundit të luftës në Jugosllavi, një rol që përfshinte gjobitjen e mediave që kritikonin regjimin, si edhe largimin e rrjeteve televizive jomiqësore.

Foreign Policy shkruan se vetëm një pjesë e vogël e mediave publikojnë akuzat për korrupsion dhe kërcënimet e votuesve. Sipas amerikanes Foreign Policy, në 6 vitet e fundit Vuçiç ka vendosur në Serbi atë që mund të përshkruhet më së miri si një autokraci e butë.

Në sipërfaqe, Serbia vijon të mbetet një shoqëri demokratike me zgjedhje të ndershme dhe opozitë, ku zërat kundër janë në gjendje të kritikojnë partinë në pushtet pa frikën e zhdukjes gjatë natës. Por kontrolli i Vuçiçit mbi qendrat e pushtetit të Serbisë është aq i plotë dhe procesi demokratik është kaq i shtrembër në favor të tij sa kundërshtitë nuk përbëjnë kërcënim për sundimin e tij, shkruan Foreign Policy, duke theksuar se kundërshtarët politikë janë të lirë të garojnë kundër tij, por ata kanë shumë pak mundësi që të dëgjohen.

Institucionet janë kaq të kontrolluara nga aleatët e Vuçiçit se nuk ka asgjë për ta ndaluar atë nga përmbysja e normave demokratike, thuhet në raportimin e Foreign Policy. E sipas saj kjo është më e dukshme te media, ku Vuçiç ka arritur ta “mbysë” duke marrë kontrollin e burimit kryesor të të ardhurave: reklamat.

Siç raporton FP shumica e agjencive reklamuese në Serbisë janë në pronësi të disa manjatëve të mediave besnike ndaj Vuçiçit, i cili, në vend që të bazojë buxhetet e publicitetit në faktorët e tregut, blejnë hapësirë ​​reklamash nga stacionet televizive dhe gazetat që i japin presidentit mbulim të favorshëm.

E mediat që i dalin kundër, e gjejnë veten me llogaritë bankare të ngrira nga autoritet teksa hetohen për parregullsi në financa. Foreign Policy jep rastin e gazetës Danas, e cila ka ulur numrin e faqeve nga 32 në 24 për shkak të rënies së ndjeshme të reklamuesve, pavarësisht se ofron edhe hapësirën më të lirë në treg.

Në një intervistë me Radio Evropa e Lirë në tetor 2017, presidenti i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Mogens Blicher Bjerregard, veçoi Serbinë si komb me shkeljet më të rënda të lirisë së mediave në Ballkan. Megjithatë zyrtarët e BE-së, si Johannes Hahn, komisioneri evropian për politikën evropiane dhe zgjerimin e fqinjësisë, kanë qenë më se të lumtur të shohin mënyrën tjetër ashtu siç Vuçiç përçmon “vlerat evropiane”. Kancelari i ri i Austrisë, Sebastian Kurz, dikur e përshkroi atë si “një spirancë të stabilitetit”, ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel kohët e fundit i tha Vuçiç se “jemi të impresionuar nga fakti se sa i suksesshëm është Serbia në rrugën e saj për t’u reformuar”. Heshtja e tyre lidhur me sjelljen e tij antidemokratike është shurdhuese.

Duke qenë se Serbia nuk është në BE, vijon FP, kjo e fundit mund të shkëputet lehtë nga veprimet e Vuçiç, por pavarësisht se ai mund të jetë një përfaqësues i dobët për projektin evropian, Presidenti serb është një person i besueshëm që i lejon Brukselit të lëvizë më pranë qëllimeve gjeostrategjike në Ballkan. Pasi Vuçiç ofron stabilitet në një rajon të paqëndrueshëm dhe ka mbikëqyrur me sukses një sërë masash shtrënguese të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të reduktuar borxhin e Serbisë dhe deficitin buxhetor duke ulur pagat dhe pensionet në sektorin publik, të cilat janë pjesë e një ristrukturimi më të gjerë të ekonomisë serbe që synon përmbushjen e kritereve të zgjerimit të BE.

Jashtë kësaj analize nuk mund të mbetej marrëdhënia e Serbisë me Kosovën, për të cilën FP thotë se normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, çka do të thoshte përgatitjen e një terreni për njohjen e Pavarësisë, duket se është prioriteti i BE.

Në shkrimin e Foreign Policy, evidentohen politikat pro-ruse të Vuçiç duke kundërshtuar mbështetjen e sanksioneve të vendosura nga BE kundër Kremlinit, duke preferuar që të luaj në të dyja kahet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA