Laçi ka mundur 4-2 vlonjatët e Flamurtarit në ndeshjen e javës së 24-t të Kategorisë Superiore, duke futur zyrtarisht në krizë rezultatesh kundërshtarët e drejtpërdrejtë për vendin e tretë, që të çon në kupat e Europës.
Kurbinasit shënuan dy herë me anë të Reginaldos në pjesën e parë, i dyti nga pika e bardhë e 11-metërshit, ndërsa braziliani gjeti edhe golin e tretë personal në fillim të pjesës së dytë, përpara se kuqezinjtë e ekipit bregdetar të ngushtonin diferencën në 3-2, me gola të Siljanovskit e Mustës.
Por, laçianët mbyllën llogaritë pas golit të katërt të shënuar nga Lushkja, për t’i rrëmbyer kështu vendin e tretë në klasifikim, ku gjenden në kuotën e 36 pikëve, po aq sa Flamurtari.
Në “Zeqir Ymeri” pati gola dhe kartona të kuq, por në fund triumfuan “blutë” e Kukësit përballë bregdetarëve të Teutës së Durrësit.
Edhe pse “djemtë e detit” kaluan të parët në avantazh me Bilalin, verilindorët përmbysën rezultatin me dy gola të Gurit dhe një gol të Shkodrës, përpara se gjërat në fushë të nxeheshin dhe dy lojtarë të ndëshkoheshin me të kuq, nga një për secilin ekip, për gjeste antisportive.
Sfida e fundit ishte ajo mes Kamzës dhe Vllaznisë, e përfunduar pa gola. Një rezultat ky që iu shërben më shumë shkodranëve, që shkëputen me 4 pikë nga Teuta e vendit të parafundit.
Top Channel