Qiproja “përçahet” edhe për kërkimet për naftë e gaz natyror

09/03/2018 22:06

Qipriotët turq do të nisin eksplorimet për naftë dhe gaz përreth ishullit, nëse qipriotët grekë këmbëngulin me planet e tyre. Ky është paralajmërimi i ministrit të tyre të Jashtëm, lëshuar këtë të premte, teksa një përplasje e re zuri fill për burimet në det të hapur.

Qipriotët grekë, të cilët janë në krye të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, kanë dhënë licenca për kërkime në disa blloqe detare në favor të kërkuesve ndërkombëtarë të naftës dhe gazit natyror.

Por, italianja “Eni” braktisi misionin e saj të parashikuar muajin e kaluar, për shkak të pranisë së anijeve ushtarake turke në zonat e diskutueshme. Një divizion i “ExxonMobil” pritet të nisë përpjekjet për kërkime më vonë gjatë këtij viti po në të njëjtën zonë.

“Ne ose do ta bëjmë këtë gjë së bashku, përmes diskutimeve, akordeve dhe veprimeve të përbashkëta, ose do t’i ndalim përpjekjet. Përndryshe, ne (qipriotët turq) do të bëjmë të njëjtën gjë, duke nisur kërkimet sipas planeve tona”, tha Kudret Ozersay, ministër i Jashtëm i Qipros Veriore, që është shkëputur nga pjesa tjetër e ishullit dhe njihet vetëm nga Turqia.

Ankaraja nga ana e saj është angazhuar të parandalojë ato që i konsideron si lëvizje të njëanshme nga qipriotët grekë, por Qipro, një vend anëtar i Bashkimit Europian, nuk ka treguar asnjë shenjë zmbrapsjeje.

Brukseli i ka bërë thirrje Turqisë të shmangë deklaratat kërcënuese dhe të vetëpërmbahet në veprime që mund të dëmtojnë marrëdhëniet me bllokun europian.

I pyetur nëse kjo mosmarrëveshje mund të përshkallëzohet më tej, Ozersay tha se diplomacia duhet dhe do të mbetet “arma” e parë. “Ne synojmë të qetësojmë ujërat në të tilla raste, e jo t’i përkeqësojmë”, tha ai.

“Për këtë arsye, në incidentin më të fundit të ndodhur ne nuk kemi përdorur forcën. Madje as nuk e kemi demostruar atë. Kjo mund të konsiderohet si vetëpërmbajtje”, shtoi ai, për të theksuar se pala turko-qipriote do të përpiqet gjithnjë të shfrytëzojë diplomacinë përpara gjithçkaje.

E ndarë më vete gjatë pushtimit turk të vitit 1974, pas një grushti shteti të frymëzuar nga grekët, rrënjët e përçarjes janë hedhur edhe më herët, kur një marrëveshje për ndarjen e pushtetit mes greko-qipriotëve dhe turko-qipriotëve u shemb për shkak të dhunës, vetëm 3 vite pasi ish-kolonia britanike fitoi pavarësinë. Qipriotët grekë mbetën gjithsesi në krye të qeverisjes së njohur ndërkombëtarisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA