Plani për integrimin e Ballkanit. Miratohet në Bruksel dokumenti i ministrave të Brendshëm të BE-së

09/03/2018 12:37

Ministrat e Brendshëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian miratuan në takimin e së enjtes në Bruksel planet e veprimit për afrimin e Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës me bllokun, ndërsa i lanë secilit detyra shtëpie, duke nisur nga miratimi i një programi prej 14 pikash në fushën e sigurisë dhe integrimit.

Synimi është që të luftohet më mirë emigracioni i paligjshëm, krimi i organizuar dhe tregtia e armëve, për t’iu afruar kështu standardeve të BE-së. Detyrat e formuluara në këtë plan shtrihen deri në vitin 2020. Gjatë kësaj kohe, blloku do të rishqyrtojë se cilat përparime janë bërë në fushën e sigurisë së brendshme, për çdo vend, pikë për pikë.

Një raport i ri do të tregojë se cili vend duhet të bëjë përmirësime dhe në cilat drejtime. E gjitha kjo bëhet duke pasur parasysh datën e synuar 2025, të cilën, shefi i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker e ripërsëriti në Sofje, në fund të udhëtimit të tij në Ballkan. Me vitin 2025 që ai përmendi si objektiv, nuk qenë dakord të gjithë ministrat në takim. Ai gjerman në largim, Thomas de Maiziere (CDU) kritikoi atë që e quajti “radhe e gabuar e hapave”.

“Rruga e drejtë duhet të jetë që shtetet që duan të anëtarësohen në BE duhet t’i plotësojnë kushtet me veprimet e tyre”, u shpreh ai. Pastaj, mund të vendoset nëse janë të përshtatshëm për Europën. Në projektet e kërkuara bëjnë pjesë ndër të tjera ngritja ose forcimi i koordinatorëve kombëtarë apo institucioneve për luftën kundër radikalizimit islamik në kuadër të mbrojtjes nga terrorizmi, të cilët të lidhen në rrjet e të bashkëpunojnë në të gjithë Ballkanin; kualifikimi i policisë dhe hetuesve duhet të forcohet me ndihmën e agjencive të BE-së; Autoriteti Policor Europian (Europol) do të ngrejë zyra ndërlidhëse në të gjashtë shtetet e Ballkanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA