Në vazhdën e stuhisë që shkaktoi njoftimi i Presidentit amerikan, Donald Trump, për të rritur tarifat ndaj importeve të metalit, Shtëpia e Bardhë zbut qëndrimin e saj lidhur me çështjen.
Përmes një deklarate, ajo bëri të ditur se tarifat mund të mos aplikohen ndaj vendeve të tilla si Kanadaja apo Meksika. Megjithatë, zëdhënësja Sara Sanders sqaroi se Presidenti nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga një masë e tillë, duke e firmosur atë në fund të javës.
Ndërkaq, Kina kërcënoi se do të kundërpërgjigjej sipas nevojës, në një luftë të mundshme tregtare me SHBA. Sipas ministrit të Jashtëm Ëang Yi, për SHBA dhe Kinën do të ishte më mirë të ishin partnerë sesa rivalë. Gjithashtu, Bashkimi Europian ka propozuar masa shpaguese kundër një sërë produktesh amerikane, përfshirë gjalpin e kikirikut dhe uiskin.
Që prej ardhjes në pushtet, Trump ka denoncuar deficitin tregtar amerikan, duke pretenduar se vendet e tjera kanë përfituar nga SHBA për dekada të tëra. Një prej premtimeve të fushatës së tij ishte ringritja e industrive të çelikut dhe metalit, të cilat, sipas tij, kanë vuajtur një trajtim të turpshëm nga vendet e tjera në veçanti nga importet e lira kineze.
Përballë shqetësimeve në rritje për një luftë të mundshme tregtare, ai tha javën e kaluar se kjo do të ishte diçka e mirë, duke shprehur besimin se Shtetet e Bashkuara do ta fitonin lehtësisht atë.
Top Channel