Vetëm grinta dhe agresiviteti të kërkuara nga trajneri Gattuso nuk mjaftuan që Milani, të paktën të shmangte humbjen në shtëpi ndaj Arsenalit.
Dy skuadrat, që nuk ndodhen në epokën e tyre më të artë, shorti i vendosi përballë në Ligën e Europës.
Në pjesën e parë të takimit të zhvilluar në Milano, londinezët ishin më të qartë në lojën e tyre dhe më të rrezikshëm përballë portës së “Kuqezinjëve”. Përpjekjet e tyre u konkretizuan që në minutën e 15-të, kur Mkhitaryan mposhti portierin Donnarumma.
Pas këtij goli, Arsenali pati edhe disa raste të tjera goli, por të dytin do ta gjente vetëm në sekondat shtesë të pjesë së parë me autor Ramsey.
Në të dytën, Milani ishte më kërkues, ndërsa Arsenali u tërhoq disi, duke u hedhur përpara në kundërsulme. Por, megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, rezultati nuk ndryshoi. Arsenali merr një fitore me mjaft vlerë dhe e sheh veten me njërën këmbë në çerekfinalet e Europa League.
Atletiko e Madridit fitoi thellë 3-0 ndaj Lokomotivës së Moskës dhe tani pret e qetë transfertën ruse për të certifikuar kualifikimin. Rrjetën e bukur e Saul Nigez nga distanca prishi ekuilibrat, ndërsa Diego Kosta dhe Koke mbyllën mbrëmjen emocionuese në impiantin ‘Wanda Metropolitano’.
Surprizë e hidhur për mijëra tifozët në Signal Iduna Park, aty ku Dortmundi tradhtoi mbështetjen fantastike duke humbur 1-2 ndaj Salzburgut. Sfida e dytë ndaj austriakëve mban gjithsesi të hapur kualifikimin.
Finalja e Europa Ligës do të zhvillohet në 16 Maj në stadiumin e Lionit.
Top Channel