Dita e dytë e testeve zyrtare përpara fillimit të Botërorit të Formulës 1, në Montmelo të Barcelonës, është shenjuar nga piloti australian i Red Bullit, Daniel Ricciardo, i cili e ka ndalur kronometrin në xhiron e tij më të mirë në 1 minutë, 18 sekonda dhe 47 të mijëtat, me gomat e reja “hypersoft”.
Një performancë e jashtëzakonshme, po të llogarisësh se zhvilloi plot 165 xhiro në pistën katalanase, që thyen kështu edhe rekordin e testimeve të vitit 2017, të vendosur nga Raikkonen, me 1 minutë, 18 sekonda dhe 634 të mijëtat.
Ajo që ra gjithashtu në sy ishte rikthimi i “shigjetave të argjendta”, që me anë të Hamiltonit kampion bote në fuqi dhe Bottasin, zunë respektivisht vendet 2 dhe 3.
Britaniku Hamilton regjistroi kohën 1 minutë, 18 sekonda e 4 të dhjetat, ndërsa finlandezi i Mercedesit e ndali kronometrin në 1 minutë, 18 sekonda dhe 56 të qindtat, që të dy me gomat “ultrasoft”. Pilotët e Mercedesit zhvilluan në total 172 xhiro së bashku, por ishin të shpejtë me të gjitha llojet e gomave të përdorura.
Ndërkohë, puna për Ferrarin nisi me pilotin gjerman Vettel, edhe pse ishte parashikuar të zbriste në pistë Raikkonen në mëngjes. Për 4 herë kampionin e botës mjafton vetëm një vend i katërt, me 1 minutë, 19 sekonda dhe 541 të mijëtat (me gomat e buta), teksa kreu vetëm 66 xhiro në mëngjes, ndërsa Kimi Raikkonen zuri vendin e 9 me kohën 1 minutë, 20 sekonda dhe 242 të mijëtat, pas 46 xhirosh pasdite.
Top Channel