Humor francez në teatër; Vihet në skenë komedia “Darka e Lamtumirës”

07/03/2018 15:28

Festivali i Teatrit Francez ka premierën e radhës këtë të mërkurë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Darka e Lamtumirës”, komedi nga Matthieu DeLaporte dhe Alexandre de la Patelliere na sjell në një trekëndësh mes çiftit Pierre dhe Clotilde, të cilën marrin përsipër që në një darkë të bëjnë spastrimet e shoqërive të konsumuara, me viktimën e parë Antonie Royer. Por humori i mençur francez, gjithmonë të çon përtej parashikimeve. Shfaqja vjen me regji të Kiço Londos.

“Provokimi që vjen nga tema e “Darkës së lamtumirës”. Një temë jo shumë e trajtuar në dramaturgjinë botërore. Por që vjen me shumë finesë nga dy autorët francezë. Një trekëndësh shumë interesant, por jo trekëndëshi tradicional burrë-grua-dashnor, është burrë-grua-mik. Mendoj që kam bërë një zgjedhje të mirë të tre aktorëve”, u shpreh Kiço Londo, regjisor.

Gazmend Paja, Laura Nezha dhe Visjan Ukcenaj janë tre aktorët që duhet përziejnë homazhin, lehtësimin, burracakërinë e ndonjëherë mefshtësinë në rolet e tyre. Por premiera ngelet rrëfyesja e bashkëpunimit të tyre në skenë.

“Pa dyshim që këtu ka skena provokative. Jo të sensit erotik. Arrihet në konkluzionin që gjërat tona të brendshme janë brenda. Sado që përpiqemi të ndryshojmë, kjo ka nevojë për një terapi të thellë, jo për ndryshime të jashtme”, tha Kico Londo, regjisor.

“Darka e Lamtumirës” do të vijojë takimin me publikun edhe përgjatë fundjavës në sallën Moliere të teatrit.

Top Channel