Debati Kosovë-Serbi ngadalëson orët e Europës

07/03/2018 19:12

Jeni vonë për punë dhe fajësoni orën elektronike mbi komodinë? Mbase arsyeja e vërtetë e gabimit të orës, e rrjedhimisht edhe e vonesës suaj, është një nga debatet mes Kosovës dhe Serbisë, që ka prekur rrjetin elektrik të Europës.

“Entsoe”, organizmi që përfaqëson operatorët e transmetimit të elektricitetit në 25 vende europiane, tha se orët elektronike janë ngadalësuar me 6 minuta që prej fillimit të janarit.

Orët e kaldajave qendrore dhe orët e furrave elektrike janë prekur gjithashtu, por jo kompjuterat apo telefonat celularë.

Vendet, nga Spanja në Turqi dhe nga Polonia në Holandë, janë pjesë e një zone të madhe të Europës, të lidhur bashkë në një rrjet elektrik që operon me një frekuencë të sinkronizuar. Kjo frekuencë rregullon edhe matjen e kohës në pajisje të caktuara, si ato që përmendëm.

Gjatë periudhës së krizës, Kosova nuk gjeneroi elektricitet të mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e saj. Sipas “Entsoe”, Serbia është e detyruar ligjërisht që të plotësojë nevojat e Kosovës, që të mbajë të stabilizuar rrjetin europian.

Por, me që Kosova dhe Serbia janë angazhuar në një debat të fortë për këtë çështje, përfshirë shumë të tjera që prej shpalljes së Pavarësisë, Serbia nuk plotësoi nevojat energjetike të Kosovës.

Dështimi për të ndërhyrë në kohë solli ndryshimin e frekuencës së rrjetit, që preku orët elektronike. Vende të tjera që humbën rezerva si pasojë, tashmë po kërkojnë kompensim. “Entsoe” tha se ndryshimi i frekuencës u ndal të martën, kur Kosova gjeneroi energjinë që i duhet, por do të duhet kohë dhe energji shtesë që ajo të stabilizohet në të gjithë Europën.

Top Channel