Manchester City iu përgjigj Federatës Angleze të Futbollit në lidhje me fjongon e verdhë që trajneri Pep Guardiola e mbante gjatë ndeshjeve të Premier League.

Tekniku 47-vjeçar e mbante këtë fjongo në shenjë solidariteti për referendumin për pavarësinë e Katalonjës dhe politikanëve të arrestuar katalanas. Për Federatën Angleze, mbajtja e kësaj fjongoje ishte një thyerje e rregullores pasi ajo konsiderohet si një mesazh politik.

Guardiola kishte afat deri në datën 5 mars që t’i përgjigjej akuzave të Federatës dhe në fund e bëri këtë duke pranuar që të heqë fjongon e verdhë gjatë ndeshjeve duke treguar se respekton rregullat e Federatës. Kjo do të thotë se ai do të jetë i lirë ta vendosë këtë fjongo jashtë fushave të lojës, për shembull në konferencat apo intervistat përpara sfidave.

Vetë Guardiola nëpërmjet një letre të dërguar në zyrat e Federatës Angleze pranoi ndëshkimin e këtij institucioni që për momentin është monetar, por refuzoi të kërkojë falje për të. Sipas tij mbajtja e fjongos së verdhë është një gjest humanitar dhe jo mesazh politik. Guardiola theksoi se mbajtja e fjongos së verdhë nga ana e tij nuk do të thotë se ai është pro pavarësisë së Katalonjës, por është në shenjë solidariteti për 4 persona që janë burgosur pa u gjykuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA