Në pritje të autopsisë për Astorin, UEFA vendos një minutë heshtje në CHL dhe UEL

05/03/2018 21:13

Tragjedia e mbrojtësit të kombëtares italiane të futbollit, Davide Astori, ka lënë të shokuar tifozët në mbarë botën, ndërsa pritet të zbulohen edhe shkaqet e vërteta të vdekjes pas autopsisë, këtë të martë.

Në stadiumin e Firences vazhdojnë të bëhen homazhe për kapitenin e Fiorentinës, që u gjet pa jetë në një hotel në Udine, pak orë përpara një ndeshjeje zyrtare.

Futbollisti italian dyshohet se ka vdekur për shkaqe natyrale, por vetëm analiza e trupit nga ana e mjekëve do të zbulojë edhe arsyet që mundojnë tifozët e Fiorentinës.

Kontrolli i fundit mjekësor i lojtarit daton më 28 shkurt, me asnjë anomali në zemër, e aq më pak në organet e tjera jetësore. Orët e tij të fundit me lojëra elektronike dhe rrjete sociale, sigurisht që nuk lënë asgjë për të dyshuar.

Prokurori i qytetit të Udines ka hapur një proces me hipotezën e vrasjes me faj, jo aq për shkak të dyshimeve se bëhet vërtet fjalë për një vrasje, sesa për misterin që rrethon ngjarjen.

Ndërkohë, funerali i Davide Astorit do të zhvillohet të enjten në Firence, në bazilikën e Kryqit të Shenjtë.

Edhe futbolli ndërkombëtar do të ndalet për pak kohë për të nderuar kujtimin e Davide Astorit. Një minutë heshtjeje do të mbahet para ndeshjeve në Champions League dhe në Europa League, në program këtë javë. UEFA zyrtarizoi vendimin për shkak të tragjedisë që goditi futbollin italian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA