Java e 27 e Serie A, që u shty thuajse e tëra për shkak të vdekjes së parakohshme të mbrojtësit dhe kapitenit të Fiorentinës, Davide Astori, e ka një datë se kur do të zhvillohen ndeshjet.
Konkretisht bëhet fjalë për sfidat Atalanta-Sampdoria, Benevento-Verona, Chievo-Sassuolo, Genoa-Cagliari, Torino-Crotone dhe Udinese-Fiorentina, që të gjashta këto do të luhen të martën dhe të mërkurën e 3-4 prillit, sipas vendimit të fundit të Ligës së Futbollit italian.
Por, këtu ka një “peng” të pazgjidhur. Ai se kur do të zhvillohet derbi i shtyrë i Madonninës, mes Milanit dhe Interit, për të cilin nuk është përcaktuar ende një datë për “faj” të…kuqezinjve!
Gjithçka do të varet nga ecuria e Milanit në Europa League, ku do të duhet të pritet sesi do të shkojnë fatet e kuqezinjve në dy sfidat me Arsenalin në 1/8-at e finaleve.
Por ky nuk është problemi i vetëm. “Mund të vihemi përballë skenarit të shtyrjes edhe të finales së Kupës së Italisë, e parashikuar për më 9 maj, gjithnjë në varësi të paraqitjes së Juventusit në Champions League”, ka shpjeguar komisari i Ligës së Serie A, Giovanni Malago.
Në përfundim të deklaratës së tij për shtyp, Malago shpjegoi se më 19 mars, në Asamblenë e Përgjithshme të Ligës së Serie A do të zgjidhet si president Gaetano Micchiche. Kjo, pasi të 20 klubet e elitës së futbollit italian kanë pranuar unanimisht kandidaturën e tij.
Micchiche është president i Bankës “IMI”, pjesë e grupit “Intesa Sanpaolo”.
Top Channel