Mbrëmja e madhe Oscar. Ceremonia vjen sonte, ekskluzivisht në ekranin e Top Channel

04/03/2018 13:19

Për të dytin vit radhazi, Top Channel do të vijë ekskluzivisht me ngjarjen më të madhe të kinematografisë së vitit. “Oscar 90”, një natë e madhe me një transmetim maratonë.

Producenti Ledion Liço shprehet: “Kjo mbrëmje ka gjithmonë emocione. Është nga këto mbrëmjet që fanatikët e filmave si puna ime dhe shumë njerëzve që shohin filma çdo ditë të jetës së tyre, mezi e presin. Kështu që, emocionet janë shumë të mëdha, pavarësisht se ne jemi satelit në mbrëmjen Oscar, fakti që për të dytin vit radhazi Top Channel e transmeton, do të thotë shumë”.

Një studio e ngrohtë, përshtatur rehatisë së shijes së Oscar-ve si nga shtëpia, do të mirpresë një sërë të ftuarisht. Komentues të anës teknike të filmave, si Ermir Joinka, Genc Përmeti, Erion Bubullima, Andi Proda, Jonida Beqo, Elkjana Gjipali, si dhe një pjesë kushtuar tërësisht shkëlqimit të tapetit të kuq, me komentues Niko Komanin, Odeta Banushajn, Endrit Mërtirin e Lori Hoxhën.

“Në pjesën e parë të programit, prej orës 23:00 deri rreth orës 00:30, do të flasim për anën teknike, për atë çka solli kinemaja botërore këtë vit. Në pjesën e dytë, me fillimin e tapetit të kuq në Los Angelos, ne do të fillojmë transmetimin dhe komentimin e asaj që kanë zgjedhur të veshin yjet në këtë edicion të 90”, shpjegoi Ledion Liço.

Ndërsa ky vit i jep mundësinë më të madhe filmit “Forma e Ujit” të Guillermo Del Toros për të marë statujën e artë të filmit më të mirë, apo edhe për regjisorin më të mirë, sërish eksperienca ka treguar që surprizat e kësaj nate janë të paparashikueshme.

“Forma e ujit (Shape of Water) është filmi më i përfolur, doemos më i nominuar dhe për mendimin tim, do të jetë humbësi më i madh i këtij edicioni. Mendoj që ky është viti i “Three Billboards Outside Ebbie, Missouri”, është viti i atij si film, i atij si aktorja më e mirë protagoniste. Aktori më i mirë protagonist për mendimin tim ngelet Gary Oldman, dhe tek regjia më e mirë për herë të parë është një femër e cila kandidon në nivelin më të lartë për një çmim për regjinë”, thekson Ledion Liço.

E ndërsa Oscar është një edicion special, pasi vjen pas skandalit seksual të shtatorit që vuri në dyshim edhe ekzistencën e kësaj nate, ka edhe një politikë të tërë kundër diskriminimit, megjithatë ende nuk kemi një fitues gay të statujës së artë.

“Edhe kjo do të jetë në temat e diskutimit të dielën në mbrëmje, në orën 23:00”, u shpreh Ledion Liço.

Top Channel