Vala e të ftohtit që ka mbërthyer Europën ka vijuar me të njëjtin intensitet edhe në fundjavë me tre viktima të reja të raportuara në Poloni. Numri i vdekjeve të lidhura me kushtet e motit në vend është rritur në 23 që nga e hëna.

Viktima janë regjistruar edhe në Itali, Spanjë, Sllovaki, Republikën Çeke, lituani, Rumani, Serbi, Slloveni, Britani, Holandë, Suedi e Norvegji. Temperaturat e acarta në dy ditët e shkuara, po fillojnë sidoqoftë të zbuten në pjesë të tjera të kontinentit. Paralajmërimet për mot të ftohtë mbeten në të njëjtat nivele në vende si Irlanda, Gjermania, Italia dhe Norvegjia. Por, ato janë tërhequr në Hungari dhe Serbi. Me motin në përmirësim, disa aeroporte u rihapën të shtunën pasi kushtet e acarta kishin penguar shërbimin dy ditët e mëparshme. Mes tyre aeroportet e Dublinit dhe Korkut në Irlandë, ai i Shipolit në Amsterdam dhe ai i Gjenevës në Zvicër.

Ajo që u quajt Bisha nga lindja, bëri që pjesë të mëdha të Europës të mbuloheshin nga bora këtë javë madje edhe atje ku fenomeni është i rrallë si në jug të Francës, Spanjë dhe Itali ndërkohë që në të gjithë kontinentin numërohen deri më tani 60 viktima si pasojë e motit të keq.

Kushtet e motit ishin ekstreme edhe në pjesën verilindore të shteteve të bashkuara, ku pemët e rrëzuara i morën jetën të paktën shtatë personave.

Top Channel