Vetëm në Tiranë janë 1200 persona, të cilët vuajnë nga tumore të zbuluara në stade shumë të avancuar dhe janë zbuluar vetëm në një vit.

Ata trajtohen nga mjekët onkologë, paliativë, të cilët kujdesen për të sëmurët që s’kanë mundësi kurimi. Mjekët thonë për Top Channel se në 20 vitet e fundit, numri i të sëmurëve është rritur me shpejtësi. Një prej tyre është edhe një 57-vjeçar nga Tirana, i cili sëmundjen e tij të rëndë, e zbuloi një vit më parë.

Ilir Qefalia është mjek onkolog paliativ, i cili punon prej gati 20 vjetësh në këtë qendër që trajton të sëmurët e pashërueshëm. Ai, së bashku me mjekët e tjerë, i trajtojnë të sëmurët në shtëpi. Gjatë kësaj kohe ka parë se si numri i të prekurve nga tumoret e rënda, është rritur me shpejtësi.

“Vetëm vitin e kaluar janë ndjekur rreth 940 pacientë. Në fillimet tona kanë qenë rreth 150 pacientë”, shprehet Doktor Iliri.
Përveç qendrave shtetërore, në Tiranë funksionon dhe një shoqatë. Në të trajtohen 250 pacientë në vit, që bashkë me ata që trajtohen nga shërbimi spitalor në banesë, bëhen gati 1200 pacientë me tumore të avancuara dhe shumë të avancuara, në kryeqytet, vetëm në një vit.

Në rang vendi diagnostikohen rreth 7000 raste tumoresh, rreth 70 % e të cilëve, në stad të avancuar apo shumë të avancuar. Në Shërbimin Onkologjik në Banesë, punojnë 7 mjekë, 8 infermierë dhe një punonjës social. Pacientët, pasi kanë kaluar të gjithë sistemin spitalor dhe rezultojnë të pakurueshëm, dërgohen pranë familjarëve dhe atje kujdesen mjekët paliativë.

“Rreth 50-100 raste të reja në vit shtohen. Kryesisht janë moshat mbi 60 vjeç, por kemi edeh raste kur pacientët janë rreth 20-40 vjeç. Ka edhe raste kur pacientët kanë mbyllur kartelën te qendra jonë dhe vazhdojnë të jetojnë”, shprehet Ilir Qefalia.

Kujdesi paliativ funksionon prej 1 viti edhe në 6 qytete të Shqipërisë, Korçë, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër e Gjirokastër.

Top Channel