Tarifat e SHBA, partnerët tregtarë kërcënojnë me kundërmasa

02/03/2018 12:00

Partnerët kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara reaguan me zemërim ndaj planeve të Donald Trumpit për të rritur tarifat e importeve të çelikut dhe aluminit.

Kanadaja dhe Bashkimi Europian përmenden menjëherë kundërmasat, si përgjigje ndaj lëvizjes së shefit të Shtëpisë së Bardhë.

“Tarifat e reja, – tha presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker, – do të vënë në rrezik me mijëra vende pune në Europë. Ne nuk do të rrimë duarkryq, teksa industria jonë goditet në mënyrë të padrejtë”.

Veprime shpaguese paralajmërojnë gjithashtu Meksika, Kina e Brazili. Edhe një zhvillim kaq të rëndësishëm, Trump e paralajmëroi përmes “Twitter”-it, duke treguar se Shtetet e Bashkuara “janë dërrmuar” nga tregtia e pandershme dhe politikat e këqija.

Importet e çelikut, sipas tij mund të rriten në masën 25%, ndërsa ato të aluminit në 10%. Kritikët argumentojnë se tarifat e reja nuk kanë për t’i mbrojtur vendet amerikane të punës dhe se barra e rritjes së çmimeve, në fund do të bjerë mbi konsumatorët.

Lajmi bëri që bursat e aksioneve në Azi të çelen mëngjesin e së premtes me ulje dhe indeksi japonez “Nikkei 225” të shënonte një humbje prej më shumë se 2%. Por në mesin e stuhisë së reagimeve që shkaktoi, Trumpi doli me pretendimin se “luftrat tregtare janë të mira”. “Shtetet e Bashkuara po humbasin miliarda dollarë prej tregtisë, – thotë ai, – dhe një luftë të tillë e kanë të lehtë për ta fituar”. Vendimi për lëvizjen e tarifave në Shtetet e Bashkuara i takon presidentit dhe nuk ka nevojë për “dritën jeshile” të Kongresit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA