Antoinne Griezmann ishte protagonisti absolut i Atleticos së Madridit në ndeshjen me Leganes të fituar 4-0.
Sulmuesi francez ishte autori i 4 golave për “Los Colchoneros”, e tashmë jep një paralajmërim të fortë ndaj Barcelonës, rival me të cilin skuadra e Simeones do të luajë të dielën në “Camp Nou”, një stadium ku Griezmann nuk ka mundur të shënojë asnjëherë.
“Nuk kam mundur kurrë të shënoj në ‘Camp Nou’. Kam shumë dëshirë ta bëj këtë të dielën dhe të festoj”, tha Griezmann, që më pas u pyet edhe për të ardhmen e tij.
“Jam i përqëndruar në objektivin tim që të arrij diçka madhështore me Atleticon dhe përfaqësuesen e vendit tim. Dua të argëtohem, si në kampionat, ashtu edhe në Europa League e Botëror. Nuk duhet të mendoj për atë që do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se do të largohem nga Atletico. Prej 4 vitesh e dëgjoj këtë histori dhe vazhdoj të jem pjesë e kësaj skuadre”, tha sulmuesi francez.
Griezmann, në dy ndeshjet e fundit ka shënuar 7 gola, por francezi mohon të deklarojë se ky është momenti i tij më i mirë.
“Kam luajtur ndeshje edhe më të mira, megjithatë ende duhet të përmirësohem. Shpresoj që këtë vit të bëj të njëjtën paraqitje si në Europian, ku u argëtova dhe tani kam detyrën që të ndihmoj skuadrën time”, vijoi Griezmann.
Top Channel